Lokale - eSIMy

Sot kujtojmë dy heronj të veçantë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Edhe se i takojnë plejadës së heronjve të kombit tonë me plotë të drejtë, megjithatë janë të veçantë, sepse veprimtaria e tyre liridashëse është e një periudhe të mëhershme, e një momenti më të hershëm të ringritjes sonë për liri.

Kësisoj ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj, në ceremoninë e lansimit të pullës postare për heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.

Haradinaj tha se shqiptarët në trojet e veta, në periudha të ndryshme të veprimit politik, u ngritën për liri.

Duke kujtuar kohën kur këta heronj rezistuan për liri deri në flijim, kryeministri Haradinaj tha se Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, janë të veçantë, sepse rrjedhin nga familje që kanë rrugë të gjatë në kontributin për liri, duke shprehur falënderimin që bijtë e tyre ia dhanë atdheut.

“Ajo që Fahriun e bën ndryshe, ishte një mendimtar i zoti. Veprat e tij të mbetura, të shkruara, flasin për nivelin e lartë të mendimit të tij, një ideolog i temave tona kombëtare të lirisë”, tha kryeministri Haradinaj, dhe shtoi se Qeveria e Kosovës është shtëpi e popullit dhe këtu duhet të ndihen më së miri familjarët e të rënëve për liri.

Kryeministri Haradinaj, tha po ashtu se është vepër e mirë lansimi i pullës postare nga Posta e Kosovës, në shenjë të përkujtimit të përjetshëm për dy heronjtë, transmeton Klan Kosova.