Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti është deklaruar pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë.
Haliti ka thënë se opozita në kundërshtim me kushtetutën, rregullat që përshkruan rregullorja e kuvendit dhe në përputhje me autorizimin qytetarët të votave nuk po duan t’i kryejnë detyrat e veta si deputetë në organin më të lartë të Kosovës.
“Ata dhe secili deputetë janë të obliguar t’i kryejnë detyrat e veta sepse për atë paguhen dhe për atë kanë marrë besimin e qytetarëve. E panë që nuk ka shumicë absolute, që për një anëtar të kryesisë mund të prishet kuromi dhe përfaqësuesit e LDK-së e lëshuan mbledhjen”, ka deklaruar Haliti.
Tutje, ai ka thënë se do ta shqyrtojnë mundësin e mbajtjes së seancave të papërfunduara dhe do të përpiqen që maksimalisht si koalicion i grupeve parlamentare t’i kryejnë detyrat.
“Ne po shqyrtojmë mundësinë e mbajtjes së seancës ditën e enjte në orën 10:00, vazhdimin e seancave të papërfunduara dhe do të përpiqemi që maksimalisht si koalicion i grupeve parlamentare dhe qeverisës në përputhje me Kushtetutën e Kosovës t’i kryejmë detyrat tona”, është shprehur ai.