Fadil Halimi, nga Sindikata e Arsimit në Podujevë, përmes një lidhjeje direkte në “Info Magazine” në Klan Kosova, ka folur në lidhje me votimin e mësimdhënësve për propozimin e pezullimit të grevës deri në janar të vitit të ardhshëm.
Ai është shprehur se në Podujevë janë përcaktuar për pezullimin e grevës.
“Gjatë ditës së sotme, shumica e shkollave të komunës së Podujevës kanë zhvilluar takime ose mbledhje dhe janë pajtuar për pezullim të grevës. Prej 29 shkollave që i kanë mbajtur këto mbledhje, 20 janë përcaktuar që të pezullojnë grevën deri në janar të vitit të ardhshëm”, tha ai.
Ndërkaq, Halimi tregoi se sa shkolla nuk janë pajtuar me propozimin dhe sa nuk janë deklaruar ende, përcjell Klankosova.tv.
“Disa shkolla të tjera janë kundër, është fjala për disa shkolla të mëdha të qytetit, për tri shkollat, si shkolla fillore “Naim Frashëri”, “Ibrahim Rugova”, shkolla “Kadri Kadriu” në Llaushë, që është njëra prej shkollave të mëdha që janë shprehur kundër, shkolla e mesme teknike si dhe shkolla “Shaban Shala”, ndërkaq pro pezullimit të grevës janë shprehur rreth 20 shkolla, pa i përfshirë edhe 11 shkolla, të cilat nuk janë deklaruar deri më tani”, u shpreh tutje ai.
Greva në arsim, mësoni se si kanë votuar mësimdhënësit në Podujevë