Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane, duke shkaktuar humbje e pasiguri. Një rast i tillë është raportuar edhe gjatë ditës së djeshme në fshatin Rogovë të Gjakovës, që dyshohet të ketë ndodhur në fillim të këtij muaji, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, rasti ka ndodhur më 8 maj, ku në këtë fshat janë thyer shtëpitë e dy vëllezërve dhe janë vjedhur 1 mijë euro, armë e rreth 30 fishekë.
Vëllezërit e kuptuan se shtëpitë e tyre ishin cak i hajnave pasi u kthyen në Kosovë, ku njëri prej tyre ka denoncuar rastin, duke kërkuar ndihmë nga Policia.
Me urdhër të Prokurorit, kanë nisur hetimet për kapjen dhe identifikimin e të dyshuarve, ndërsa rasti është iniciuar si “vjedhje e rëndë”.






