Lokale - eSIMy

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos gjatë sezonit të verës, kur organizohen ahengje me të madhe dhe shtëpitë mbesin pa përkujdesje, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë mbrëmë pas mesnate në fshatin Godanc i Epërm të Shtimës, ku kësaj here cak i hajnave ishte shtëpia e një rreshteri policor.

Sinjali mëson se persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda shtëpisë, ku kanë demoluar dhomat dhe kanë arritur që të vjedhin një karikator të armës zyrtare me 15 fishekë, stoli ari në vlerë të 3 mijë e 500 eurove dhe para të gatshme në rreth 2 mijë e 400 euro.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që çojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, mirëpo ende nuk ka persona të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.