Gjithçka filloi nga vizitat që bënte tek të afërmit, në periudhën e pasluftës në Kosovë.

Gjatë këtyre momenteve, Lajde Kajtazi- Kolgjeraj, ka hasur në shumë të moshuara dhe gra që kanë filluar t’i humbin apo edhe t’i djegin veshjet popullore.

Fjalët më të shpeshta që i dëgjoi ajo ishin “ato nuk na duhen më, kemi veshje moderne tashmë, po na mbushin shtëpinë me gjëra të panevojshme” .

“Më dhimbte shpirti nga kjo gjendje, atëherë fillova t’i grumbulloj veshjet popullore, gjithmonë iu thosha nëse keni me i humbur dhe keni veshje që nuk ju duhen sillni tek unë”.

Kësisoj 50 vjeçarja, qe plot 18 vjet koleksionon veshjet popullore të grave të krahinës së Hasit të Prizrenit.

“Të gjitha veshjet popullore në koleksionin tim i kam vetëm të krahinës së Hasit, konkretisht kam më tepër veshje të grave të Hasit të besimit katolik që janë bartur në Zym, Shën Gjergj dhe Breg Drini”.

Kajtazi-Kolgjeraj tregon për klankosova.tv se ka gati pesë arka të mbushura me veshje popullore për të cilat ka ndarë një dhomë të veçantë në shtëpinë e saj.

“I kam të palosura, jo të ekspozuara. Kohë pas kohe i shikoj mos janë dëmtuar. Më mungon një hapësirë më e madhe për to, qoftë për t’i ekspozuar apo edhe për mirëmbajtje. Po shpresoj që në të ardhmen do ta bëjë një hapësirë që i përmbushë nevojat e mirëmbajtes si dhe të ekspozimit”, tha ajo.

Ajo thotë se tani është e vështirë të bëhet një veshje siç kanë qenë ato të para 30 e 50 vitesh, sepse sipas saj ka ndryshuar materiali i veshjeve.

Kolgjeraj thekson se të gjitha rrobat në koleksionin e saj janë të veçanta në natyrën e vet, mirëpo motivet në to apo edhe vet historia që lidhet me to i bënë të kenë një vend akoma më të veçantë në koleksionin e saj.

“Të gjitha e kanë atë të veçantën e vet, estetikën e vet! Por meqenëse unë kam në koleksion vetëm veshje të krahinës së Hasit atëherë mund t’i theksoj disa të parapërlqyera që i kam, për shembull “Jeleku i ngrimë i mirë për nuse”, gujën me dallamë me sumblla, dallëm, rendëse aksesor të trashëguar nga gjyshja, dyshek i shtratit”, deklaroi koleksionistja e veshjeve nga Hasi i Prizrenit.

50 vjeçarja tregon se ndonjëherë as vet nuk do ia kishte ditur vlerën këtyre veshjeve nëse nuk kishte marrë reagimin dhe vlerësimin e të tjerëve për punën që ka bërë. Këto veshje ajo i ka shfaqur para audiencës në kuadër të disa projekteve.

“Deri më tani disa herë i kam shfaqë një pjesë të tyre, në “Etnofest 2017”, në dy projekte të OJQ “Dardania”, ekspozita me veshje popullore në “Takimet e Gjeçovit 2017”. Gjithashtu kam pas mbështetjen edhe nga Fondacioni “Unë e Du Kosovën” të cilët edhe e promovuan mjaftë shumë koleksionin e veshjve”, tha Kolgjeraj për Klan Kosovën.

Një pjesë të tyre zonja në fjalë i përdorë edhe për për Ansamblin Etno-Kulturor “Katarina Josipi” të cilin ajo e drejton.

Vlerësimi i të tjerve mbetet motiv akoma për punën e saj, Lajde shpreson që të ardhem të realizon një ekspozitë vetëm me veshje të Hasit, njofton Klan Kosova.