Tragjeditë familjare, dyshimet për tradhti, abuzimi me alkoolin e bixhozin dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre. Për një rast të tillë, që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar një grua, e cila ka deklaruar se bashkëshorti i saj e ka sulmuar fizikisht.

Bazuar në dëshminë e 40-vjeçares, kjo ka ndodhur për shkak se ajo ka zbuluar se burri i saj është duke flirtuar me një grua tjetër. Si pasojë e xhelozisë, i dyshuari e ka goditur me grushte, duke i shkaktuar asaj lëndime trupore.

Si pasojë e lëndimeve të marra, gruaja ka kërkuar ndihmë mjekësore, ndërkohë që njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin i cili u shoqërua në stacion për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, 40-vjeçari i cili është recidivist i veprave të dhunës në familje, është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërsa gruaja është kthyer në shtëpinë e saj, pasi ka deklaruar se nuk ndjehet e rrezikuar.