“Mendoj që nuk ka bisedime, që nuk kanë ndonjë befasi, të cilat janë gjithmonë të mira”, ka thënë Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për “Newsmax”.
“Ato (befasitë) bëjnë presion në të dy palët që të bëjnë më shumë, që të krijojnë më shumë. Pra, po, kemi shfaqur disa befasi, por mendoj që asnjëra palë nuk ishte aq e befasuar. Ndonjëherë shtihen para mediave se kjo është befasi më e madhe se që është. Të dyja palët janë njoftuar dhe mendoj që kemi realizuar përparim dhe shpresoj për zgjidhje”, theksoi Grenell, pas ditës së parë të bisedimeve në Uashington ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas paralajmërimeve, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të takohet sot me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ceremonisë të nënshkrimit dhe do të marrë pjesë në takim trelateral, transmeton REL.
Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, sç është paralajmëruar, Hoti dhe Vuçiq, veç e veç, do të takohen në Departamentin e Shtetit me sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo.
Më 3 shtator, këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, tha se në Uashington, u zhvilluan bisedime “shumë të mira” ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve edhe gjatë së premtes.
“Bisedime shumë të mira këtë pasdite me liderët e Kosovës dhe Serbisë. Ata bënë përparim të vërtetë. Normalizimi ekonomik nënkupton vende pune për të rinjtë. Bisedimet do të vazhdojnë nesër”, thuhet në postimin në Twitter të Këshillit për Siguri Kombëtare.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se këto bisedime paraqesin një hap drejt marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa takimin e së enjtes në Uashington e cilësoi si historik.
“Kemi bërë një hap të madh drejt përmbylljes së marrëveshjes finale”, shtoi ai.
Hoti tha se në bisedimet që janë zhvilluar të enjten në Uashington është bërë përparim ekonomik dhe shtoi se të premten pritet të prezantohet marrëveshja për temat ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë edhe më 4 shtator në Uashington.
“Dokumenti i parë, të cilin e kishim, mbante titullin ‘Normalizimi ekonomik’. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara na e ndanë dokumentin. Ajo letër për ne nuk ishte fare e lehtë dhe në të ishte pika për njohjen e ndërsjellë, gjë që për ne nuk është risi. Thashë se këtë nuk mund ta pranojmë dhe administrata e Trumpit u tregua e drejtë, e kuptoi që ne nuk mund ta pranojmë”, deklaroi Vuçiq.
Ai falënderoi nikoqirët amerikanë që “ishin të gatshëm t’i dëgjojnë vërejtjet e Serbisë”.
Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.