I dërguari Special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka thënë se me hapjen e vendeve të reja të punës në dy vendet, luftërat politike të viteve të fundit do të lihen anash.

Ai në një intervistë për “ACLJ.org”, ka folur për marrëveshjen e arritur në Washington më 4 shtator mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA-ja. E ka quajtur këtë marrëveshje historike.

“Kjo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është historike. Ne kemi qenë duke luftuar për simbolizëm dhe fjalë për 21 vjet. Këtë e quajnë proces politik. Vendet nuk kanë qenë në gjendje të lëvizin para në ekonomi. Donald Trump më ka thënë t’i bëjmë bashkë për normalizim ekonomik, të tentojmë të punojmë së bashku për punë të mira për të rinjët, kjo ka qenë ideja. Injorimi i luftërave të fjalëve dhe simbolizimit. Të tentojmë të shtyjmë palët të ulin barrierat sa më poshtë që të munden në aspektin ekonomik. Kemi marrëveshje ajrore, fluturim i parë për 21 vjet mes Prishtinës e Beogradit të fillojmë lëvizjen në tregti. Marrëveshje hekurudhore që do të lëvizë tregtinë mes dyjave. Do të bëhet një studim nga Qeveria e SHBA-së në liqenin që ndahet mes të dyjave, kryesisht në Kosovë pjesërisht në Serbi, studim fizibiliteti për përdorim të liqenit për çështje të energjisë elektrike”, ka thënë Grenell.

Ai ka përmendur edhe marrëveshjen për dekriminalizimin e homoseksualitetit dhe po ashtu ndalimin e Hezbollahut.

Ndërkohë e ka quajtur sukses të madh marrëveshjen për njohje të diplomave mes dy vendeve.

“Dyja palët janë pajtuar të njohin diplomat e njëra-tjetrës dhe lejeve të punës. Është arritje e madhe. Pasi nëse je dentist që jeton në Kosovë por ke studiuar në Serbi atëherë nuk ke mundur të punosh. Pasi nuk njiheshin shkathtësitë tua. Kjo do të hap rrugë për individët që të ndërtojnë karrierë dhe krijojnë familje. Ne mendojmë se kur punon në drejtim të punës dhe krijimit të vendeve të punës, atëherë luftërat politike të 21 vjetëve do të lihen anash. I kam thënë dy liderëve se simbolizmi është nuk të paguan qiranë e nuk të vendos ushqim në tavolinë”, ka deklaruar Grenell.

I dërguari special për dialogun nga presidenti Donald Trump, Richard Grenell, tha se Kosova e Serbia nuk do të shohin më nga Rusia e Kina por nga SHBA-ja.

“Të dy shtetet janë pajtuar t’i zgjerojnë burimet e tyre të energjisë që do të thotë se, për Serbinë është shumë e rëndësishme pasi 100 për qind e energjisë së saj vjen nga Rusia dhe ata janë pajtuar që ta zgjerojnë burimin e tyre të energjisë e që do të thotë të largohen nga Rusia”, tha Grenelli.

Ai gjithashtu tha se Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të njohin Izraelin dhe të krijojnë bashkëpunime diplomatike.

“Kosova dhe Izraeli do ta njohin njëra-tjetrën për herë të parë. Kjo do të thotë lëvizje e rajonit të Ballkanit Perëndimor në anën e Perëndimit dhe qëndrimit larg Rusisë dhe Kinës”, shtoi Grenelli.