Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Çdo ditë raportohen raste të ndryshme, ku përfshihen burra e gra, prindërit e fëmijët. Kështu ndodhi së fundmi në një familje në Obiliq.

Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur dje në fshatin Mazgit, ku një burrë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, duke përfunduar në ndalim për 48 orë.

Viktima, A.Z., rreth 21-vjeçare, ka deklaruar se bashkëshorti i saj, E.Z., rreth 27-vjeçar ka rrahur duke e goditur me grusht në kokë, me shuplakë në fytyrë dhe duke e tërhequr me forcë për dore.

Siç mëson Sinjali, pas sulmit fizik, viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është intervistuar në prani të përfaqësueses së Qendrës për Punë Sociale.

Ndërkohë, 27-vjeçari është shoqëruar nga njësitë policore në stacion dhe është intervistuar lidhur me rastin.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, ku me urdhër të tij, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për veprën “Dhunë në familje” dhe është ndaluar për 48 orë në Qendrën e Mbajtjes.

Rasti mbetet në trajtim të mëtejmë nga autoritetet hetimore.