Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka shpërndarë ushqime të rregullta për gati 20,000 njerëz në karantinë si pjesë e luftës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), bëri të ditur agjencia e ndihmës të hënën, raporton Anadolu Agency (AA).
Një nga organizatat më të mëdha humanitare në vend, Gjysmëhëna e Kuqe Turke, e njohur edhe si Kızılay, në një deklaratë tha se ata siguruan ushqim për 19,993 persona me tre vakte në ditë.
Agjencia e ndihmës u shpërndau mbi 627.481 ushqime njerëzve që ishin evakuuar dhe vendosur në karantinë në 63 pika në 42 provinca.
Organizata mobilizoi 8.111 vullnetarë për të drejtuar operacionin masiv, citohet të ketë thënë Kerem Kinik në deklaratë, kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Turke.
Kinik shtoi se ata do të vazhdojnë përpjekjet e tyre të ndihmës në terren derisa jeta në vend të kthehet në normalitet.
Turqia ka 9,217 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe numri i të vdekurve është 131.
Koronavirusi i ri u zbulua së pari në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar. Tani për tani janë raportuar më shumë se 735,000 raste në të gjithë botën me afro 35,000 të vdekur dhe me mbi 156,000 të shëruar, sipas Universitetit Johns Hopkins me qendër në SHBA./AA