Lokale - eSIMy

Dëshmitari Mentor Beqiri, pronar i restorantit “Proper Pizza”, jashtë objektit të të cilit kishte ndodhur vrasja në shkurt të 2021-ës, tha se rreth 3-4 persona kishin qenë të armatosur nga grupi i “Maestros”, që i kishin kanosur.

Këtë deklarim, dëshmitari Beqiri e bëri në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ku Leotrim Selimi ngarkohet për vrasje të rëndë të M.K në shkurt të vitit të kaluar në Mitrovicë dhe plagosje të Behar Halilit si dhe ngarkohet për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, Bejtë Hasani po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, pasi sipas aktakuzës me dashje kishte filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e kishte përfunduar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së martës, të pranishëm në seancë ishin prokurori Njazi Rexha, dy të akuzuarit Leotrim Selimi dhe Bejtë Hasani me mbrojtësit e tyre Naser Sopjani dhe Bashkim Mehana, si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Behar Halimi, avokati Muharrem Prekazi dhe dëshmitari Mentor Beqiri,

Fillimisht, duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Rexha, në lidhje me incidentin ku mbeti i vrarë M.K, dëshmitari Mentor Beqiri, deklaroi se kishte qenë prezent në vendngjarje.

“Për një moment ky djali, Leotrimi e ka nxjerrë revolen edhe ka gjujt në kënd ka mujt, masi që jon kry kërcënimet dhe të shtënat, ju kom afru të ndjerit edhe e pashë që është në gjendje shumë kritike, jena mundu me fut me ni kerr për me çu me ia dhon ndihmën e parë. Krejt ka qenë diçka shumë e shpejtë, kaq di çka ka ndodh”, deklaroi dëshmitari Beqiri.

Në lidhje me faktin se si ishte vënë në dijeni në lidhje me problemin para lokalit të “Proper Pizza”-s, ai deklaroi se atë natë kishin qenë në një ndejë dhe pas përfundimit, Behar Halilin ose tashmë të ndjerin M.K i kishin lajmëruar në telefon se kanë ardhë para lokalit disa persona siç tha ai “të hallakatë”.

Tutje deklaroi se nuk e kanë pasur as idenë se çfarë po i priste atje, pasi që sipas tij me ata persona nuk kishin pasur telashe ndonjëherë dhe në momentin kur kanë shkuar në vendin e ngjarjes, janë ballafaquar fillimisht me të akuzuarin e parë, Leotrim Selimin.

“Florimi, e ka pyt këtë Leotrimin se çka po doni ktu, për një moment ky e ka nxjerrë alltinë, edhe në ato momente e kom kuptu që ai nuk kishte përvojë në përdorim të armës edhe e kom ditë që dikënd prej neve ko me vra”, deklaroi tutje dëshmitari Beqiri.

Duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit në lidhje me atë nëse mund t’i përshkruajë veprimet e personave prezent në atë incident, ai deklaroi se kishte shkuar tek lokali bashkë me Florim Sadikun dhe Behar Halilin, dy të dëmtuarit, si dhe me tashmë të ndjerin M.K.

Ai tha se pasi që i dëmtuari Florim i është drejtuar të akuzuarit të parë, duke e pyetur për çfarë kanë ardhë, i dëmtuari Halili në ato momente kishte hyrë në lokal dhe kishte marrë një kabëll në dorë.

Tutje tha se pasi i dëmtuari Halili ka dalë jashtë, i akuzuari Selimi kishte filluar të gjuante në drejtim të tyre. Sipas tij, kishin qenë të gjithë në një afërsi me njëri-tjetrin, vetëm i ndjeri M.K kishte qenë në distancë.

“Këta e kanë pritë me u tensionu situata edhe me ia nisë me gjujt, për me kallzu atë fuqinë, për çka edhe kanë ardhë, une di veç që sot e asaj dite M.K nuk është më në mesin tonë, nuk ka thon kurgjo as pse as qysh, as se ka rreziku e as kërcënu askënd, edhe i ka marrë plumat”, deklaroi tutje Beqiri.

Dëshmitari Beqiri shtoi se kishin qenë rreth 7-8 persona që kishin ardhë atë natë para lokalit të tyre dhe se diku 3-4 prej tyre i kishin kërcënuar me armë dhe i kishin përdorur të njëjtat.

Ndërsa, tha se nuk mundet t’i identifikojë të gjithë ata persona, përveç të akuzuarit të parë, pasi që gjithçka kishte ndodhur shumë shpejt dhe në mënyrë të tensionuar.

Tutje, ai deklaroi se i dëmtuari Behar Halili është plagosur nga i akuzuari i parë.

“A ka pasur ndonjëherë mosmarrëveshje mes “Proper Pizza”-s dhe “Maestro”s në lidhje me lëvizjen e punëtorëve”, pyeti prokurori Rexha.

Dëshmitari tha se nuk merret me çështje të menaxhimit të punëtorëve, pasi që ekziston zinxhiri komandues në bizneset e tyre dhe rrjedhimisht deklaroi se nuk ka njohuri në lidhje me atë.

Me marrjen në pyetje të dëshmitarit vazhdoi mbrojtësi sipas autorizimit i të akuzaurit Selimi, avokati Naser Sopjani, filimisht në lidhje me faktin nëse gjatë ballafaqimit verbal të të akuzaurit të parë dhe të dëmtuarit Sadiku kishte pasur edhe ndonje shtyrje fizike.

“Mendoj që kur e ka pyet Florimin çka po doni ktu, kanë mujtë mu shty sa më kujtohet diçka, por jo diçka serioze”, tha dëshmitari.

Më pas, nga avokati Sopjani u lexua një pjesë e deklaratës së dëshmitarit në prokurori, duke i kërkuar që ta konfirmojë atë, kur kishte deklaruar se i dëmtuari Behar e ka larguar të dëmtuarin Florim derisa ky i fundit ishte duke biseduar me Leotrimin, duke dalë në pozitë përballë tij.

Këtë pyetje të mbrojtësit të të akuzuarit të parë e kundërshtoi prokurori me arsyetimin se kjo pyetje duhej të shtrohej në formën është e saktë apo nuk është e saktë, dhe jo të shtohen komente të tjera.

Po ashtu, kjo pyetje u kundërshtua edhe nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Muharrem Prekazi i cili deklaroi se e kundërshton formën e parashtrimit të pytjeve nga avokati Sopjani, dhe për shkak të rikonfirmimit të vetë deklaratave të dhëna si në shqyrtim gjyqësor ashtu edhe në prokurori, kishte me qenë shume më e rëndësishme që dëshmitari të konfirmojë nëse qëndron pranë deklaratës së dhënë në prokurori.

Ndërsa, trupi gjykues mori vendim që të lejohet pyetja dhe komentet e avokatit Sopjani.

“Mendoj që nuk ka dallim ajo që kom thon në prokurori dhe në gjykatë, edhe qëndroj pranë asaj që kom thon në Prokurori, edhe sot jom mundu me ju sqaru atë situatë, prapë po e përsëris se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt”, u përgjigj dëshmitari Beqiri.

Tutje, avokati Sopjani kërkoi që të sqarohet një pjesë e deklaratës se sotme të dëshmitarit Beqiri, se ai nuk është përgjegjës për të trajtuar menaxhimin e punëtorëve dhe se kush është përgjegjës për këtë pjesë, në lokalin ku është pronar.

Dëshmitari Beqiri tha se kjo është përgjegjësi e menaxherëve të pikës.

Tutje u pyet se çfarë detyrash kryen Behar Halili si punëtor i tyre në bazë të kontratës së punës që e ka me të njëjtit, por përfaqësuesi i të dëmtuarit Halili, avokati Muharrem Prekazi e kundërshtoi pyetjen me arsyetimin se kjo pyetje nuk lidhet në asnjë formë me çështjen penale që trajtohet.

Por, trupi gjykues lejoi parashtrimin e kësaj pyetjeje dhe dëshmitari Beqiri deklaroi se i njëjti është menaxher kryesor.

“Nga momenti kur keni dalë nga neja, gjatë kohës sa keni qenë në veturë për me shku te Properi, a keni bisedu diçka mes veti në lidhje me problemin për të cilin jeni njoftuar përmes telefonit”, vazhdoi me pyetjet avokati Sopjani.

Dëshmitari Beqiri deklaroi se në ato momente i ka udhëzuar djemtë tjerë në veturë që të mos nguten sido që të ishin rrethanat që i prisnin.

Avokati Sopjani në fund kërkoi që të konfirmohet nëse dëshmitari Beqiri e ka kuptuar arsyen e këtij incidenti kaq të rëndë pasi që ka biseduar me Albert Beqirin, apo me dikënd tjetër që ka qenë brenda në lokal, para se ata të shkojnë në vendin e ngjarjes.

“Edhe për mu kjo është me rëndësi me kuptu, pse Leotrimi e ka vra puntorin tonë sot e kësaj dite na nuk kena marrë përgjigje, çka ka pas djali faj që u vra në punë tem, s’kena marrë përgjigje deri më sot”, deklaroi dëshmitari Beqiri.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 20 prill 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 28 tetor 2021 kishte ngritur aktakuzë kundër Leotrim Selimit, Bejtë Hasanit, Valon Ibishit dhe Valmir Selimit.

Të akuzuarit Valon Ibishi dhe Valmir Selimi më 17 nëntor 2021 janë dënuar me nga 700 euro gjobë dhe me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muaj (secili veç e veç), pasi pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Ndërsa, i akuzuari për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Leotrim Selimi dhe i akuzuari tjetër, Bejtë Hasani, për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, në atë seancë e pranuan fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, andaj gjykata refuzoi këtë pranim fajësie dhe ndaj tyre është veçuar procedura.

Kështu, sipas pikës I.1 të aktakuzës, Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K, ku pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e “Proper Pizza”, Albert Beqiri, vjen deri te konflikti mes grupit të “Maestros”, Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, dhe grupit të “Proper Pizzaa”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K.

Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi kishte nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava, model 57, cal. 7.62 x 25 mm, dhe kishte shtënë në viktimën dhe godet në pjesën e përparme të djathtë të kraharorit e si rezultat i plagëve të marra vdes.

Tutje në aktakuzë thuhet se predhat e goditin edhe Behar Halilin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1 pika 1.5 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm.

Ndërsa, në pikën I.2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, M 57, me nr. serik C-210485, kalibrit 7.62 x 25 mm, me një karikator, e cila i është sekuestruar nga policia.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit.

Sipas pikës II.1 të aktakuzës, Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj Florim Sadikut, e të cilën nuk e ka përfunduar.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas fjalosjes mes grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K, dhe grupit të “Maestros” Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, rreth punëtorëve, nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava”, model 70, kalibrit 7.65 x 17 mm, dhe shtënë në drejtim të grupit të “Proper Pizza”, me këtë rast e godet Florim Sadikun dhe i shkakton dëmtime të rënda trupore, si dhe vë në rrezik jetën e personave të grupit të “Proper Pizza”.

Me këtë, ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173, par. 1 pika 1.5 e lidhur me nenin 28 të KPRK.

Ndërsa, sipas pikës II. 2 të aktakuzës, i pandehuri Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava” M-70, kalibrit 7.62 x 17 mm, e cila i është sekuestruar nga policia.

Me këtë, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK, e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 dhe 2 të dispozitivit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në pikën III. 1 thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, model 33, kalibrit 7.62 x 25 mm, me nr. Serik MT 253146, e cila është sekuestruar nga policia.

Me këtë, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK.

Ndërsa, në pikën III. 2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, model 33, kalibrit 7.62 x 25 mm, me nr. Serik MT 253146, duke e nxjerrë gjatë konfliktit mes grupeve dhe drejtuar M.K., Mentor Beqirit, Florim Sadikut dhe Behar Halilit.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën III/1.

Ndërsa, në pikën e fundit IV.1 të aktakuzës, i pandehuri Valmir Selimi po akuzohet se më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës gjysmëautomatike ‘Eibar Star” model “B” kalibrit 9 x 9 mm, me nr. serik 42392, prodhim spanjoll, me një karikator, dhe tre fishekë të kalibrit 7.62 x 25 mm, e cila është sekuestruar nga policia.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK

Ndërsa, në pikën IV. 2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valmir Selimi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese ndaj grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili, e M.K. pistoletën e markës “Eibar Star” model “B”, kalibrit 9 x 9 mm, me nr. serik 42392, duke e nxjerrë dhe repetitë para lokalit.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën IV/1 të dispozitivit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.