Lokale - eSIMy

Prishtinë-I dëmtuari Jusen Jusenoviq, mohon se i ka thyer hundën me kokë të akuzuarit Sadik Malaj, në rastin ku ky i fundit akuzohet për vrasje në tentativë në kafene për shkak të piperit.

Në këtë rast, Sadik Malaj po akuzohet për vrasje në tentativë dhe posedim të paautorizuar të armës, ndërsa Jusen Jusenoviq akuzohet për lëndim të rëndë trupor, pas një mosmarrëveshje në kafene për shkak të piperit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e mbrojtësit të të dëmtuarit, avokati Ndue Kurti, se çka ka ndodhur në ditën kritike, i dëmtuari Jusenoviq tha se pasi ka porositur piperin, ka parë Malajn duke u nisur në drejtim të tij në mënyrë agresive. Për atë është ngritur në këmbë dhe për të mbrojtur vetën ka lakuar kokën dhe kanë filluar rrahjen me grushte.

“Na kanë nda, e kom thirr pronarin me pagu çka kam porositur, personi që kam pas problem ma ka shajt nënën, por unë nuk kam reagu dhe vetëm e kam thirre pronarin për të paguar dhe kam dal nga kafja”, shtoi Jusanoviq.

Po ashtu, Jusanoviq tha se pasi ka mbërritur në shtëpinë e tij është sulmuar nga Malaj.

“Jam nisë në drejtim te shtëpisë, jom ardhë te garazha, kur jom kthy me mshelë derën e hymjes veç e kom hetu një sjellje në shpinë dhe jam ra në tokë”, tha Jusanoviq.

Ndërkaq, në pyetjen e prokurorit të shtetit Iliaz Beqiri, se me çka e ka goditur të akuzuarin, Jusenoviq u përgjigj se e ka lakuar kokën dhe janë rrahur me grushta.

Tutje, i pyetur nga prokurori Beqiri se a e ka goditur me kokë të akuzuarin Malaj pasi që sipas raportit mjekësor i njëjti ka pasur lëndime të rënda trupore, Jusanoviq u përgjigj se “me krye si kam ra kërkujt”.

Ndërkaq i akuzuari Malaj, në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokati Asdren Hoxha se çfarë ka ndodhur në ditën kritike në lokal, Malaj tha se Jusanoviq e ka sharë më nënë e më pas e kishte goditur me kokë në hunë.

“Më ka sha me nënë dhe ju drejtova, i thash pse po më shan për një piper që e kam harruar. Më pas kur u shpreha kështu Juseni u ngritë nga tavolina dhe me kapi për gjoksi më ngrehi nga vetja dhe me goditi me kokë në hunë, u rrëzova”, tha Malaj.

Malaj deklaroi se më pas ka marrë një thikë nga kuzhina dhe ka shkuar tek shtëpia e Jusanoviq, ku para se me hy ai në oborrin e tij e ka parë të dëmtuarin duke marrë një shufër metalike dhe se është nisur në drejtimin e tij.

Ndërkaq, Malaj shtoi se pasi që ka parë Jusenoviq duke u nisur në drejtim të tij, ai është rrëzuar dhe se nuk e mbanë në mend se si e ka goditur atë.

“Aty e kom pa tu vrapu prej meje Jusenin me shufër metalike dhe pasi që u afru nuk e di se si e kam goditur”, tha ai.

I pyetur nga anëtarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj- Hyseni, se çfarë lëndime kishte pësuar ai, Malaj tha se e thyer hundën, ka lënduar gishtin dhe kokën mbrapa.

Në fund, avokati Hoxha propozoi gjykatës zëvendësimin e masës së paraburgimit me masë të arrestit shtëpiak për të akuzuarin Malaj, propozim ky i cili u aprovua nga trupi gjykues dhe e njëjta do të zëvendësohet me arrest shtëpiak, të cilën do ta arsyetoj me aktvendim të veçante.

Seanca e sotme u ndërpre dhe e radhës pritet të mbahet më 10 Janar 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 korrik 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i pandehuri Sadik Malaj më 23 shkurt 2022, rreth orës 14:45, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit që gjendet në Obiliq, ka tentuar që ta privojë nga jeta të pandehurin Jusen Jusenoviq, për shkak të një konflikti që kishte ndodhur në kafenenë “Te Skenda”.

Aktakuza thotë se i pandehuri Malaj merr thikën e kuzhinës, i shkon prapa ku e takon në oborrin e shtëpisë së tij, që ishte larg rreth 100 metra dhe nga prapa e godet një herë me thikë në shpinë, ku tehu i thikës i mbetet në shpinë, ndërsa dorëzën e thikës e hedhë dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Si pasojë e kësaj, thuhet se të pandehurit i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore njëri-tjetrit.

Në kohë, vend dhe mënyrë si në pikën 1 të dispozitivit të kësaj aktakuze, i pandehuri Sadik Malaj thuhet se pa autorizim ka poseduar armë-thikën, në të cilën e ka kryer veprën penale si në pikën 1 të dispozitivit të kësaj aktakuze.

Tutje, sipas aktakuzës i pandehuri Jusen Jusenoviq më 23 shkurt 2022, në kafenenë “Te Skenda”, e cila gjendet në Obiliq, i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore tani të pandehurit Sadik Malaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Jusenoviq ka shkuar në kafene dhe ka porositur ushqim, pasi që i është ofruar ushqimi i porositur, ka kërkuar edhe piper të kuq, ku i pandehuri Sadik kishte harruar që t’ia sillte e ndërkohë i bie në mend se ka harruar porosinë e marrë dhe ofrohet që edhe një herë ta pyes se çka ka porositur.

Si pasojë e kësaj, aktakuza thotë se fillon fjalosja e tyre, ku i pandehuri Juseviq ngritet në këmbë e kapë për gjoksi dhe me kokë e godet në fytyrë të pandehurin Malaj, i cili rrëzohet në tokë e më pastaj ngritet, fillojnë të rrahjen në mes veti, ku pronari i lokalit S. së bashku me djalin e tij D.S ndërhyjnë dhe i ndajnë, ku të pandehurin Sadik Malaj e fusin në kuzhinë, ndërsa i pandehuri Jusen del nga lokali niset për në shtëpi, me ç’rast të pandehurit i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prere.