Foto ilustrim

I dëmtuari Muhamet Rusinovci ka thënë se i akuzuari Avni Zullufi e ka goditur xhaxhin e tij me thikë dhe pasi që i njëjti ka tentuar që ta largojë atë, i akuzuari ka goditur edhe atë me thikë.

Një deklaratë të tillë, i dëmtuari Rusinovci e dha duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Hivzi Sylejmani, në rastin ku Avni Zullufi po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj të dëmtuarve Muhamet Rusinovci dhe Besim Rusinovci si dhe për armëmbajtje pa leje.

“Pasi që shajti e ka nxjerrë thikën me të cilën e ka goditur axhën Besim në stomak në anën e majtë, pastaj kam ndërhyrë unë duke dashur ta largojë Avniun, aty jemi kacafytur në ato momente unë se kom vërejtur se jam goditur por veç e kam vërejtur gjakun në këmbën e djathë mrena në pjesën e brendshme mbi gju dhe në shpinë në anën e majtë”, ka deklaruar Rusinovci.

I dëmtuari Rusinovci në fillim ka deklaruar se ka dëgjuar një goditje dhe kur ka dalë të shikoj se çfarë po ndodhë e ka parë babin e të akuzuarit Zullufi, Rasim Zullufin duke u larguar dhe kur ka shikuar brenda në lokal ku kanë pasur edhe shtëpinë ka parë që është thyer një pjesë e murit.

“Atë natë është ndi një krismë kogja e madhe, një goditje nga e cila shtëpia jonë ushtojke, pastaj unë dola jashtë, në fillim nuk pash asgjë pasi ishte pak errësirë, e pastaj kur kam dal nga ana e oborrit e kam parë babin e tani të akuzuarit Avni, Rasim Zullufin të cilin e kam parë duke ikur pastaj të njëjtin e kam thirr në emër “Rasim”, aj nuk u përgjigj dhe iku. Pas kësaj jom hi mrena në lokal i cili ndodhet në shtëpi në katin përdhes i cili ka qenë salon ondulimi, aty tani i pash blloku i murit ka qenë i thyer, fasada 15cm rreth bllokut kishte rënë në tokë, nga pjesa ku ishte hjek blloku shihej oborri”, ka thënë i njëjti.

Ndër të tjera, i dëmtuari Rusinovci ka deklaruar se ka parë axhën e tij, të dëmtuarin Besim Rusinovci duke u afruar në drejtim të shtëpisë së tij së bashku me të akuzuarin Zullufi dhe se ka vërejtur se ky i fundit e mbante dorën në xhep

“Dhe kur jam kthyer në rrugë e kam parë aty axhën Besim i cili ishte së bashku me tani të akuzuarin Avni duke ardhur në drejtim të shtëpisë sonë, por nuk me kujtohet nëse kanë qenë duke biseduar, e kam vërejtur Avniun se dorën e djathtë e mbante në xhep në një jakne lëkure të zezë të cilën e ka pasur të veshur, pastaj shkova edhe e veta a je ti djali i Rasimit aj mtha po, pastaj e pyeta pse po ndodhin këto gjëra, a po të duket mirë çka është duke bërë babai yt, pas këtyre fjalëve ky-Avnia na ofendoj dhe na shajti shumë rënë dhe e nxori thikën tha mirë pjau bon, e kishte fjalën për Rasimin edhe tha kshtu ashtu duhet mjau ba juve dhe vazhdimisht shante”, tha i dëmtuari Muhamet Rusinovci.

I njëjti deklaroi se pasi që i akuzuari Zullufi e kishte goditur, i njëjti ishte larguar ndërsa ai së bashku me nënën e tij, të dëmtuarën Sabrie Rusinovco dhe të Besim Rusinovcin kanë pritur ambulancën.

“Po, gjakderdhja ka qenë e madhe pasi gjaku ka rrjedhur deri në këpuca, pastaj ka ik Avniu ka shkuar në shtëpinë e tij, ndërsa ne; unë, Besimi dhe nëna ime Sabria kemi qenë duke e pritur ambulancën të cilën e ka lajmërua vllau jem Artoni, në ato momente axha Besim ishte i shtrirë në shpinë dhe e mbante plagën në stomak me dorë ndërsa unë kam qëndru në këmbë”, ka thënë i njëjti.

Gjatë kohës sa ishin duke pritur ambulancën, i dëmtuari Muhamet Rusinovci tha se i akuzuari Zullufi është afruar tek muri afër ku edhe ka shtënë me revole.

“Aty ku ishim duke pritur afër lokalit është një mur i vogël dhe është afru Avnia të muri gjysmën e trupit e ka pasur mbi muri dhe ka pasur revole në dorë, të njëjtën e ka drejtuar drejtë neve, përkatësisht drejt meje pasi un isha më afër, ndoshta kemi qenë larg njëri tjetrit rreth tri-katër metra, në atë moment ka shtënë me revolen që e ka pasur në dorë, kur i kom ni të shtënat instinktivisht e kom qit krahun para ftyrës sime, kanë qenë 3-4 të shtëna por asnjë plumb nuk më ka goditur mua”, ka thënë i njëjti.

Tutje, i njëjti shtoi që nuk e ka parë më pas të akuzuarin Zullufi pasi që i njëjti ishte matanë murit.

“Pas këtyre të shtënave Avniun nuk e kam parë më pasi që siç thash më lartë ai ishte matanë murit”, tha i dëmtuari Muhamet Rusinovci.

Duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Eset Mazrekaj, i dëmtuari Rusinovci ka deklaruar se nuk e ka parë policinë duke e arrestuar tani të akuzuarin Zullufi.

“Unë nuk e kam parë policinë duke e arrestuar Avniun”.

Ai gjithashtu shtoi se është i bindur që i akuzuari Zullufi nuk ka qenë në paraburgim ditën të nesërmen pas ngjarjes.

“Jam I bindur se Avniu nuk ka qenë të nesërmen në paraburgim”, ka thënë ai.

I njëjti ka deklaruar se ka pasur edhe më herët kërcënime të ndryshme.

“Atë natë jo, kohë më gjatë para ngjarjes, Rasimi i ka thënë një kushëririt tim, Bajramit “thuaj Misimit le te hjek shtëpinë ose kom me vra”, ky ka qenë një kërcënim, kërcënimi tjetër ka qenë nga vëllai i Avniut i cili në uniformë të FSK, emri nuk më kujtohet edhe i tha babit tim “ose heqe shpinë ose unë pi bi herticët edhe ta hjekin shpinë’, ka thënë i dëmtuari Muhamet Rusinovci.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Zullufi, avokatit Bekim Ahmeti, i dëmtuari Muhamet Rusinovci ndër të tjera ka thënë se distanca mes vendit ku ka ndodhur ngjarja dhe shtëpisë së të akuzuarit është rreth 40-50 metra.

“Vendi ku ka ndodhur ngjarja dhe shtëpia e Avniut kanë një distancë rreth 40-50 metra në mesë”, ka thënë i njëjti.

Tutje, ai deklaroi se me ta nuk ka qenë ndonjë person me emrin Ismail Sulejmani dhe se as nuk e njeh ndonjë person me emër të tillë.

“Jo, nuk më kujtohet, nuk e njoh Ismailin as si person as si figurë”, tha i dëmtuari Muhamet Rusinovci.

I dëmtuari Rusinovci duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues ka deklaruar se është i sigurt që i akuzuari ka shtënë një herë drejt tij.

“Ni herë jam shumë i sigurt që ka gjuajt në drejtim temin”, tha ai.

I njëjti tha se ka qenë rreth 4/5 metra larg të akuzuarit kur ky i fundit ka shtënë me armë.

“Në momentin kur Avinu ka gjuajt me armë ka qenë 4-5 metra larg njëri tjetrit”, tha i njëjti.

Më pas, pas administrimit të provave, i akuzuari Zullufi duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Ahmeti ka thënë se në natën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë duke u kthyer nga puna.

“Natën kritike unë isha duke u kthyer prej punës rreth orës 23:30 dhe në momentin që jam afruar te dera e shtëpisë për me hi mrena nshpi, aty afër e kom pa Hasan Rusinovcin, jam takuar me të dhe jam përshëndetur me të dhe pastaj Hasani filloi me fjalët “baba, baba, baba” edhe e kom pyt Hasnain a është baba mirë, e kishte fjalën për babin tim, Rasimin por Hasnai nuk ka fol asgjë”, ka deklaruar i akuzuari Zullufi.

I njëjti tha se në momentin kur ai së bashku me Hasan Runsinovcin janë afruar tek Brahim Rusinovci, tani i dëmtuari Muhamet ka filluar ta shajë atë dhe Hasan Rusinovci e ka goditur në kokë me grusht.

“Në momentin kur unë me Hasanin jemi ofruar te Brahimi, Muhameti nga anash më shante mua nonstop, fyerje me nënë me babë edhe unë e kom përshëndet axhën Brahim, i thashë “mirëmbrama baci Brahim”, ai nuk ma ktheu përgjigjen nuk e di pse, ndërsa Muhameti fillonte të shante e Hasan nga prapa meje më ka goditur në kokë me grusht, unë nuk e kam pritur goditjen nga Hasani, i njëjti e ka bërë këtë pasi i ka parë duke sharë Muhametin dhe Artanin”, tha ai.

Ai tha se personat që kanë qenë të pranishëm e kanë futur në mes dhe kanë filluar ta godasin dhe më pas ai ishte larguar.

“Të pranishmit e familjes Rusinovci më kan shti në mes edhe kan fillu të më godasin, në fillim me grusht nga kjo goditje kam rënë në tokë e pastaj më kanë goditur me shkelma, i kam parë, më ka goditur Artnai, Muhameti, Brahimi dhe Besimi të cilët i kam parë sepse i kam pasur përballë edhe i kam dhënë zor mu qua përpjetë edhe më ka kap për dore Hyseni edhe në ato momente jam frikësuar pasi ata ishin aty afër edhe Hyseni më mbante për dore edhe e kom hjek pallton prej trupit palltoja i ka mbetur në dorë Hysenit dhe jam kthyer mbrapa në drejtim të shtëpisë time”, ka thënë i akuzuari Zullufi.

Ai tutje ndër të tjera ka thënë se ka marrë një revole me të cilën ka shtënë.

“Ndërsa Hyseni me personin me mbiemrin Sylejmani janë afruar afër rrethojës, i kanë kapur rrethojat, i tërheqshin ato dhe donin të hynin Brenda në oborrin e babës-Rasimit edhe në atë moment unë kam shtënë dy herë përpjetë me allti të cilën e kisha me dorë në atë moment edhe këta menjëherë janë larguar, unë jam kthyer Brenda në shtëpinë e babit ehe e kom pa që baba, kunata, gruaja e vëllait me katër fëmijët e vegjël ka qenë brenda”, ka thënë ai.

Më pas, ai tha që kishte ardhur policia dhe e kanë dërguar në stacioni policor.

“Prej atij momenti policia kanë ardhë brenda të cilët nuk më kanë prangosur por më kanë fut në kerr edhe më kanë quar në stacionin policor veriu dhe më kanë marr në pyetje”, tha Zullufi.

Ndër të tjera, ai ka thënë se ndjehet shume keq dhe se kërkon falje për atë që ka ndodhur.

“Që nga momenti i ngjarjes nuk jam ndjerë mirë, mu më ka ardhë shumë keq edhe po atë natë në polici dhe në gjykatë kam shprehur keqardhje dhe edhe sot ju kërkoj falje për rastin që ka ndodh, unë nuk e kam pasur idenë se do të më ndodhte ajo që ka ndodhur natën kritike, kam qenë duke u kthyer nga puna”, ka thënë i akuzuari Zullufi.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Sylejmani, i akuzuari ka deklaruar se qëndron pranë deklaratave që kishte dhënë në polici dhe prokurori.

Ai gjithashtu ka thënë se edhe në polici ka deklaruar që e ka parë Hasan Rusinovcin.

“Edhe në polici kam thënë se e kam taku Hasanin në fillim por a e kam thënë në fillim apo në fund nuk e di”, ka thënë i njëjti.

Ndryshe, gjatë kësaj seance avokati Ahmeti gjatë administrimit të provave ka paraqitur si provë raportin mjekësor të QKUK për pasojat e tani akuzuarit Avni Zullufi natën kur ka ndodhë ngjarja, provë për të cilën prokurori Sylejmani kërkoi që të kundërshtohet, kundërshtim ky që u refuzua nga trupi gjykues.

Gjithashtu, gjatë seancës prokurori Sylejmani ka thënë se kualifikimit të veprës penale duhet ti shtohet edhe paragrafi 1.11.

“Në pikën parë të aktakuzës në cilësimin e veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 179, par.1, nënpar. 1.5 lidhur me nenin 28 të ish-KPK-së, këtij kualifikimi duhet ti shtohet edhe paragrafi 1.11 pasi për këtë kualifikim ekziston përshkrimi i veprës penale në aktakuzë. Përshkrimi faktik I veprës penale është në mënyrë të drejtë ku thuhet: “I pandehuri Avni Zullufi me dashje tentoi ta privojë nga jeta të dëmtuarin Muhamet Rusinovsci dhe Besim Rusinovci””, deklaroi prokurori Sylejmani.

Në lidhje me ricilësimin e veprës penale, respektivisht shtimin e paragrafit 1.11, avokati Ahmeti tha se të njëjtën e kundërshton.

“Ndërsa për sa i takon ricilësimit të veprës penale respektivisht shtesës së paragrafit 1.11 e kundërshtojmë për të njëjtat arsye të cilat janë dhënë gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor”, deklaroi avokati Ahmeti.

Pasi që ishte fundi i orarit, seanca u ndërpre ndërsa e radhës pritet të mbahet më 18 gusht 2022.

Ndryshe, në këtë çështje penale i akuzuar ka qenë edhe Rasim Zullufi, për të cilin gjykatësi Foniqi kishte njoftuar se më 4 shkurt 2019 ishte hedhur aktakuza, për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 mars 2014, Avni Zullufit akuzohet se më 22 nëntor 2013 në rrugën “27 Nëntori”, në Prishtinë, me dashje kishte tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Muhamet Rusinovci dhe Besim Rusinovci, për shkak të një kontesti pronësor që kishin mes veti, në atë mënyrë që deri sa të dëmtuarit Rusinovci kishin dalë në rrugë posa kishin dëgjuar një krismë në murin e shtëpisë së tyre, kishin vërejtur murin e lokalit të cilin e kishte shpuar i akuzuari Rasim Zullufi.

Në aktakuzë thuhet se, në ato momente, i dëmtuari Muhamet dhe i akuzuari Avni, djali i të akuzuarit Rasim, kanë filluar të fjalosen në mes vete, ku i dëmtuari Muhamet i është drejtuar të akuzuarit me fjalët “a po e shef çka është duke bërë babai yt”, ndërsa i akuzuari Avni i është përgjigjur “mirë po ju banë”, dhe në fjalosje e sipër i akuzuari me një thikë e godet të dëmtuarin Besim në regjionin e anës së majtë të stomakut, duke i shkaktuar plagë shpuese me dëmtime të rënda trupore, me pasoja të përkohshme të shëndetit, me ç’rast i është nënshtruar shërimit intensiv spitalor në QKUK.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Avni, nga prapa e godet me thikë edhe të dëmtuarin Muhamet, në këmbën e djathtë mbi gju, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin, i cili në ato momente ishte afruar për ta tërhequr axhën e tij Besimin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Zullufi për një moment hyn në shtëpi, e merr një armë, me një shpejtësi kthehet dhe me armë shtie dy herë në ajër dhe një herë në drejtim të të dëmtuarit Muhamet Rusinovci me dashje për ta privua nga jeta, duke shkaktuar rrezik edhe për personat që ishin përreth, mirëpo nuk arrin ta qëlloj, pasi që i dëmtuari ishte shtrirë për tokë për t’i shpëtuar goditjes.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Avni Zullufi me veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, nga neni 179, par.1, nënpar. 1.5 lidhur me nenin 28 të ish-KPK-së.

Gjithashtu, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin edhe me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par.1 të ish-KPK-së, pasi që sipas saj, i akuzuari prej periudhës së pavërtetuar e deri më 22 nëntor 2013, në shtëpinë e tij në Prishtinë, ka mbajtur në pronësi dhe kontroll, pa leje valide armën e tipit “Ekol Special”, të cilën revole e ka përdorur si mjet për kryerjen e veprës së parë të kësaj aktakuzë, e cila revole i është gjetur dhe konfiskuar nga ana e policisë.

Aktakuza e ngarkonte edhe Rasim Zullufin, me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 333, par.1 të KPK-së.

Kjo sepse, sipas aktakuzës, më 22 nëntor 2013, në rrugën “27 Nëntori”, në Prishtinë, për shkak të një kontesti pronësor që kishte me fqinjët e tij, të dëmtuarin Muhamet Rusinovci, ka dëmtuar pasurinë, ne atë mënyrë që me kazme e ka shpuar dhe rrënuar një pjesë të murit të lokalit të dëmtuarit, duke i shkaktuar dëm material. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.