Ferizaj- Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, u dëgjua eksperti i cili ka hartuar ekspertizën e komunikacionit, Xhemil Halili
Në këtë rast, Musliu akuzohet se ka shkaktuar aksidentin në fshatin Koshare të Ferizajt, nga i cili mbetën të vdekur pesë persona, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, eksperti Xhemil Halili, është përgjigjur nga pyetjet e prokurorit Mehdi Sefa, i cili në seancën e sotme ka zëvendësuar prokurorin e kësaj çështje, Genc Nixha.
Eksperti Xhemil Halili tha se më 14 qershor 2021, ka hartuar ekspertizën e komunikacionit, në këtë ekspertizë eksperti Halili tha se ka dhënë konkluzionet e tij, shtoi se mbetet në tërësi pranë mendimit të tij të dhënë, e po ashtu tha se i qëndron dhe deklaratës së tij të dhënë në prokurori më 6 gusht 2021.
Eksperti Halili tha se në rastin konkret të kësaj çështje, në ekspertizën e tij faqe 10 të ekspertizës pika 3, ashtu siç aty ka dhënë mendimin e tij, deklaroi se shpejtësia e automjetit Audi A8 shpejtësinë e lëvizjes e ka pasur 92.10 km/h, dhe s’ka pas gjurmë të frenimit.
Prokurori Mehdi Sefa, e ka pyetur ekspertin Halili, se çfarë metoda ka përdorur në ekspertizën e punuar, ndërsa ky i fundit tha se ka përdorur metodën e cila zbatohet në parime shkencore dhe ka të bëjë me ruajtjen e shpejtësisë së lëvizjes.
“Kjo metodë bazohet në distancën e zhvendosjes së automjetit, këndin e ndeshjes (kontaktin fizik), si dhe këndin e zhvendosjes së automjeteve e poashtu dhe peshat e automjeteve të përfshira në aksident” ka deklaruar eksperti Xhemil Halili, ndërsa shtoi se kjo është njëra nga disa metoda të tjera që përdoren për përcaktimin e shpejtësisë së lëvizjes.
Tutje, prokurori Sefa, ka pyetur ekspertin Halili, nga cilat fakte është mbështetur kjo ekspertizë, eksperti Halili tha se është e bazuar në raportin e policisë, vendin e ngjarjes dhe në metodat për analizë të rastit.
“Për ta hartuar këtë ekspertizë, kam përdorur të dhënat që kanë qenë në raportin e policisë, kam qenë në vendin e ngjarjes, kam përdor katalog të automjeteve përkatëse si dhe kam përdor metodat për analizë të aksidentit”, tha eksperti Halili.
Avokati i palës së dëmtuar, Gazmend Sopa, e ka pyetur ekspertin Haliti, pasi që ky i fundit në ekspertizën e tij ka konstatuar se ngasësi i veturës Audi A8 ka lëvizur me shpejtësi 92.10 km/h, andaj avokati Sopa pyeti se sikur të lëvizte kjo veturë me shpejtësi më të vogël prej 50 km/h, siç ishte e paraparë në atë zonë, a do të ishte e mundur që të shmangej nga kontakti fizik edhe pse ishte përballë me shiritin e ngasësit të veturës Golf2, eksperti Halili tha se sa më e vogël të jetë shpejtësia normalisht dhe reagimi do të jetë më i shpejtë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Musliu, avokati Tomë Gashi e ka pyetur ekspertin Halili, a e ka përdorur dokumentin e kompanisë “Porsche Kosova”, ku është blerë vetura Audi A8, dhe se a ka arritur në konkludime të tjera në raport me ekspertizën e punuar.
Eksperti Xhemil Halili, tha se shpejtësia e cila është konstatuar në kompaninë “Porsche Kosova” shpejtësi prej 81 km/h nuk ndryshon mendimin e tij në lidhje me këtë aksident, këtë tha se e ka deklaruar edhe në prokurori.
“Këtë dokument nga kjo kompani e kam në shkresat e mia, të njëjtin ma ka ofruar prokurori pasiçë unë e kam dorëzuar ekspertizën e punuar me shkrim”, shtoi eksperti Halili
Avokati Gashi, tutje e ka pyetur ekspertin Halili, se a ka deklaruar se shpejtësia e lëvizjes ka mund me qenë 81 km/h në bazë të dokumenteve që janë prezantuar nga avokati mbrojtës, ndërsa lidhur me këtë eksperti Halili tha se nuk mund të jep sqarime të duhura.
“Lidhur me këtë nuk mund të jap sqarime të duhura ngase kjo është lëmi e motorristikës, unë nuk e kam këtë lëmi, eksperti i kësaj fushe do të mund të sqaronte më mirë, nëse ka mund me qenë kjo shpejtësi në momentin para aksidentit” tha eksperti Halili teksa shtoi se qëndron pranë ekspertizës së hartuar nga ana e tij.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 26 prill 2022.
Ndryshe, Erton Musliu është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 5 tetor 2021.
Sipas aktakuzës, më 6 qershor 2021, rreth orës 15:37, në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare të Komunës së Ferizajt, i pandehuri duke drejtuar automjetin të markës “Audi A8”, me të arritur përballë firmës “LS Qeramika”, me dashje eventuale shkel nenin 53, paragtafin 1 të Ligjit për rregullat e trafikut rrugor.
Aty thuhet se duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës në vendbanim, si dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, kishte tejkaluar në vijë të plotë dhe kishte kaluar në shiritin e majtë rrugor, me ç’rast më pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e tipit “Golf II” në pjesën e përparme të anës së majtë, i cili automjet ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj.
Në aktin akuzues thuhet se në këtë aksident, në vendin e ngjarjes ndërrojnë jetë N.R., Xh.R., S.R. dhe i mituri Y.R., kurse I.R. ndërron jetë më pas në QKUK në Prishtinë. Gjithashtu, thuhet se L.H. person lëndime të rënda trupore, kurse Y.H. lëndime të lehta.
Me këtë, Erton Musliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, kryesi i së cilës dënohet me burgim prej tre deri në 12 vjet.
Ndryshe, nga 6 qershori deri më 25 shtator 2021, Musliu ka qëndruar në paraburgim, kurse nga 25 shtatori e deri më 25 tetor atij i është caktuar masa e arrestit shtëpiak. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.






