Gazeta Sinjali raportoi të mërkurën për arrestimin e një biznesmeni në Gjilan, i cili po dyshohet se ka përfituar 800 mijë euro duke mashtruar me shitjen e disa parcelave me shtëpi banimi në kompleksin “Planeti Rezidencë” në Kmetovc të Gjilanit. Muhamed Shabani po dyshohet se përmes fakteve të rrema ua ka marrë viktimave paratë për shitjen e parcelave të cilat veçse ishin shitur kohë më parë.

Ndaj tij tashmë Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Ekziston dyshimi bazuar se me datë 29 Nëntor 2021, në kohë të pa përcaktuar, i pandehuri me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke e përdorur metodën e mashtrimit ka sjellë në lajthim të dëmtuarit E. M. dhe Z. M., ashtu që në bazë të kontratës së shitblerjes më LRP 10868/2021 me nr. ref. 2337/2021 të datës 29.11.2021, të dëmtuarit kanë blerë tetë parcela me shtëpi banimi në kompleksin P. R., në fshatin Kmetovc, Komuna e Gjilanit, në shumë prej 800 mijë frangave zvicerane, e që në realitet kanë blerë shtatë parcela me shtëpi banimi, prej të cilave gjashtë prej tyre kanë qenë të shitura më herët personave N. K., F. Z., T. H., M. A., M. E. dhe F. S., të cilët janë duke jetuar në ato shtëpi, kështu që i pandehuri me veprimet e tij u shkakton dëm material të dëmtuarve duke krijuar dobi pasurore për vete në vlerën e lartshënuar.

Me këto veprime i pandehuri M. Sh. dyshohet se ka kryer veprat penale mashtrimi, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative nuk janë adekuate në këtë fazë të procedurës penale.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.