E ftuara e radhës nga Gjykata Speciale, është deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.
Këtë e ka konfirmuar për Gazeta Blic, vetë deputetja Kadrijaj, e cila ka thënë se është kontaktuar gjatë ditës së sotme nga ana e Gjykatës Speciale.
Ajo shkurt për Gazeta Blic, ka thënë se ende nuk është caktuar koha kur do të intervistohet nga Prokurori Special, por që sipas saj, një gjë e tillë pritet të ndodhë gjatë muajit shtator.
“Po, është e vërtetë. Sot jam kontaktuar nga ana e Gjykatës Speciale. Nuk më është caktuar koha kur do të jap intervistë, por që sic më është thënë në mënyrë jozyrtare, një gjë e tillë pritet të ndodhë gjatë muajit shtator”, ka thënë deputetja për Gazeta Blic.
Ndryshe, përveç saj tashmë shumë ish-luftëtarë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, janë paraqitur në Gjykatën Speciale, në mesin e tyre edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj. Madje, ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit për shkak të kësaj ftese.
Po ashtu, në Gjykatën Speciale, janë paraqitur edhe shumë figura tjera të politikës vendore, si kryetari i Këshillit Kombëtarë në Nismën Socialdemokrate, Jakup Krasniqi dhe ish-deputetë të Kuvendit, kryetarë komunash dhe zyrtarë tjerë.
