Lokale - eSIMy

Gjykata Themelore në Prishtinë, në një  përgjigje për Llapi.info, ka dhënë detaje për të dyshuarin E.K., për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë.

Sipas gjykatës, E.K., kishte qenë i dënuar edhe më parë për “vrasje në tentativë” dhe për veprën penale “Mbajtje në Pronësi, Kontroll apo Posedim i paautorizuar të armëve”.

“Në bazë të të dhënave që posedon gjykata, ka qenë vetëm një lëndë në Departamentin për të Mitur të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të miturit E.K,  për shkak të veprës penale – Vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe veprën penale – Mbajtja në Pronësi, Kontroll apo Posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së. Lidhur me këtë rast, Gjykata e shkallës së parë ka vendosur me datë 28.02.2021 me të cilin të miturit E.K i ka shqiptuar masën edukativo-korrektuese në kohëzgjatje prej 2 viteve, masë e cila nuk do të ekzekutohet nëse i mituri E.K  brenda afatit prej 3 vjetëve nga dita e plotfuqishmërisë së atkgjykimit nuk kryen vepër tjetër penale dhe përmbush detyrimet e veçanta si: Heqja dorë nga kontakti me personat e caktuar që mund të kenë ndikim negativ në të, të vazhdojë  shkollimin dhe të heq dorë nga mbajtja e çfarëdo arme. Me datë 06.07.2022 Gjykata e Apelit ka vendosur lidhur me ankesën, ashtu që ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore për Llapi.info.

“Po ashtu ju njoftojmë se, sipas Sistemit Elektronik për Menaxhim të Lëndëve, që ndaj të miturit E.K., nuk është duke u zhvilluar ndonjë procedurë tjetër në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet tutje.

E.K., dhe A.A., dyshohet se më 14 janar të ktij viti, kanë goditur me veturë dhe më pas e kanë sulmuar me mjetë të forta Lulzim Fejzullahun, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Të miturit e dyshuar janë arrestuar nga organet e rendit.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se njëri nga të dyshuarit, sipas tij, ka 9 vepra penale.

“Njëri prej tyre (të dyshuarve) faktikisht ka qenë i dënuar me tri vite burg, për një rast të më hershëm. Nga ky informacion që morëm njeri prej tyre kishte 9 vepra penale dhe organet e drejtësisë dhe Prokuroria e kishe dhënë fjalën me këtë dënim. I dyti që është bashkëpjesëmarrës, nuk ka ndonjë rast ose vepër së paku nga organet e rendit. Ne kemi marre info nga menaxheret e shkollës, ai nuk është nxënës i mire është nxënës që i është thyer nota sjelljes dhe që ka pas mungesa, kjo është ajo që dimë dhe kemi informacione deri tani”, shtoi Bulliqi./Llapi.info