Në mungesë të të akuzuarit Dardan Molliqaj, ka dështuar sërish të nis gjykimi të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ai dhe Fatos Sahiti, akuzohen për sulmin ndaj Haki Abazit pas një debati televiziv në vitin 2019. Ndaj Molliqajt, do të lëshohet urdhërarrest.
Gjyqtari i rastit, Fisnik Gashi bëri të ditur se për shkak të mungesës në seancë, ndaj Molliqajt do të lëshohet urdhërarrest.
“Seanca e sotme e shqyrtimit gjyqësor nuk mund të mbahet për shkak të mungesës së të pandehurit Dardan Molliqaj. Ndaj të pandehurit Dardan Momlliqaj do të lëshohet urdhërarrest”, tha gjyqtari.
Të pranishëm në seancë ishin i akuzuari Fatos Sahiti dhe avokati i Dardan Molliqajt, Dren Kukaj. Ndërsa, nga pala e dëmtuar Haki Abazi me avokaten Sadije Mjekiqi.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë dështoi.
I akuzuari Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) mungoi edhe në seancën e 4 shtatorit 2025, në të cilën mungesën e kishte arsyetuar me angazhimet për fushatën zgjedhore.






