Lokale - eSIMy

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka reaguar pas mos certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), as sot nuk ka arritur që t’i certifikojë kandidatët e Listës Serbe për kryetarë të komunave veriore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për shkak se kanë abstenuar anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Menjëherë pas kësaj ka reaguar edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, transmeton lajmi.net.

Ai në një konferencë për medie, ka thënë se ndalimi i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Listës Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës, është mohim i të gjitha të drejtave politike për tërë popullin serb në Kosovë.

Ai ka thënë se serbët janë të pranishëm në çdo institucion të Kosovës, mirëpo ajo çfarë sot ka ndodhur është e pakuptimtë.

Gjuriq në këtë konferencë po ashtu ka bërë të ditur se vendimet që so t’i marrë Lista Serbe do të bëhen pas konsultimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Qeverinë dhe përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova.

Gjuriq, Lëvizjen Vetëvendosje e ka quajtur Lëvizje Fashiste dhe Shoviniste, pasi që anëtarët e saj abstenuan për certifikimin e kandidatëve serb.

“Përfaqësuesit e Lëvizjes fashiste dhe shoviniste Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sot kanë paraqitur masat e ndarjes kombëtare dhe serbët janë formalisht të privuar nga statusi i të qenurit njeri i lirë në Kosovë”, ka deklaruar Gjuriq.

Ai ka thënë se pavarësisht se si ka vepruar Kosova ndaj Listës Serbe dhe serbëve, ai ka thënë se Serbia, si shtet demokratik dhe përgjegjës, nuk do t’ua mohojë të drejtat civile dhe politike shqiptarëve, sepse, siç thotë ai, “një çmenduri dhe papërgjegjshmëri e tillë e Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të shkrihet me reciprocitet”, transmeton më tutje lajmi.net.

Ai ka drejtuar edhe kritika ndaj bashkësisë ndërkombëtare për këtë veprim.

“Është e pabesueshme që gjëra të tilla ndodhin para syve të bashkësisë ndërkombëtare, e cila, pa ndonjë përgjigje efektive, shikon në të gjitha manifestimet më shkatërruese të tërbimit politik në Kosovë”, ka thënë Gjuriq.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk i ka certifikuar kandidatët e Listës Serbe për kryetarët e komunave të katër veriore, për shkak se përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë abstenuar.

Kujtojmë se në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të drejtë vote kanë 58 mijë e 520 votues, me dallim prej 1 mijë e 507 votues më shumë, në krahasim me Zgjedhjet e Lokale të datës 22 tetor 2017.

Të drejtë vote në Mitrovicën veriore kanë 22 242 persona; në Leposaviq 18 390 persona në Zveçan 9.276 persona dhe në Zubin Potok 8 612 persona kanë të drejtë vote.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.