Pasi Crvena Zvezdas nuk iu lejua të hynte në Kosovë për ta zhvilluar ndeshjen e Kupës së Serbisë kundër Trepçës ilegale, ka reaguar shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Kosova duhet të përjashtohet nga UEFA dhe FIFA.
Crvena Zvezda po planifikonte të luante ndeshjen e raundit të 1/16 në kuadër të Kupës së Serbisë kundër Trepçës ilegale në Zveçan, raporton lajmi.net.
FFK-ja kërkoi nga FIFA dhe Policia e Kosovës që të pengojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje, duke u thirrur në të drejtën e garantuar si organizatore e vetme e garave të futbollit në territorin e Kosovës.
Por FIFA, befasisht, mori qëndrim që shkon në favor të Serbisë dhe në dëm të futbollit kosovar dhe FFK-së – mirëpo në anën e tyre kishte Policinë, që pengoi hyrjen e serbëve në Kosovë.
Insistimi i FFK-së për të mos e lejuar zhvillimin e kësaj ndeshjeje mbështetet edhe nga statutet e UEFA dhe FIFA-s, përkundër pretendimeve të Gjuriqit.
“Ky është një tjetër tentim i Prishtinës për ta larguar Serbinë nga Kosova e Metohija në çdo mënyrë simbolike të mundshme, edhe kur ndeshja kishte qëllim promovimin e sportit dhe jo atë politik”, ka thënë Gjuriq.
“Në tentim për ta instaluar një perde të hekurt mes Serbisë Qendrore dhe provincës jugore, Prishtina është duke e zgjedhur një rrugë izolimi të vetes, ashtu siç kanë bërë shqiptarët shpesh herë në histori. Por, serbët nuk duan të mbyllen brenda këtyre mureve dhe duan të ekzistojnë në një shoqëri të hapur, siç është rasti në Evropën moderne sot”.
“Kjo lëvizje anti-evropiane dhe anti-civilizimit nga Prishtina do të lajmërohet në të gjitha instancat kompetente, në mënyrë që i gjithë komuniteti ndërkombëtar ta ketë mundësinë edhe një herë ta shohë Kosovën si pikë të zezë dhe ishull të rrëmujës dhe kaosit në hartën evropiane”.
“Prishtina i ka goditur themelet e futbollit evropian dhe sportit botëror me këtë veprim agresiv politik. Ata duhet të “fluturojnë” nga UEFA dhe FIFA, ku s’duhet të kishin qenë fare”, përfundoi ai.