Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për krime të rënda ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit I.A. , për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
“Dyshohet që më 17 janar 2019, në fshatin Sodovinë e Qerkezëve, komuna e Vitisë, i dyshuari I.A., nga pakujdesia ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që i pajisur me armë, gjatë një ahengu familjar, në të cilin kishte të pranishëm shumë njerëz, e nxjerrë armën nga brezi dhe shkrep brenda dhomës, me ç’rast edhe ka goditur një herë me një predhë të dëmtuarin S.B., në krahun e majtë dhe në pjesën e pasme të shpatullës së majtë, i cili për shkak të lëndimeve të rënda trupore është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Regjional në Gjilan”, thuhet në komunikatë.
Armët e paautorizuara të të dyshuarit janë sekuestruar nga policia.
Prokuroria, ka propozuar masën e paraburgimit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillim e procedurës penale, për të cilën pritet që brenda afatit ligjor të vendosë Gjykata Themelore në Gjilan.






