Inspektorati i komunës së Podujevës ka zhvilluar sot një aksion në të gjitha furrat e bukës që gjenden në këtë anë, shkruan Llapi.nfo.

Gjatë këtij aksioni, vetëm një furrë është gjobitur me 400 euro, pasi që siç ka njoftuar kumtesa komunale, e njëjta për mospërputhje të gramazhes së bukës.

Mirëpo, komuna s’e ka bërë të ditur emrin e kësaj furre të gjobitur.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria e Inspeksionit me aksion në furrat e bukës për kontrollimin e gramazhës së bukës

Drejtoria e Inspeksionit gjatë këtyre ditëve ka zhvilluar një aksion në të gjitha furrat e bukës në qytetin e Podujevës, inspektimet janë bërë rreth deklarimit të furrave për peshën e bukës se a përputhet gramazha me atë që është deklaruar.

Në këtë aksion të kontrolleve në furra të bukës mori pjesë edhe drejtoresha e Inspeksionit, Florentina Osmani. Gjithashtu gjatë inspektimeve janë kontrolluar furrat nëse i kanë të vendosura çmimoret, orarin e punës dhe a janë të regjistruara bizneset.

Nga gjithsej 22 furra që janë kontrolluar në qytet, njëres prej tyre i është shqiptuar gjobë mandatore prej 400 euro për mospërputhje të gramazhes së bukës me deklaracionin dhe disa prej tyre iu është dhënë vërejtje për mos-vendosje të çmimores.

Drejtoria e Inspeksionit do të vazhdojë me kontrolle të tilla në vazhdimësi dhe ftohen qytetarët që për çdo parregullsi të adresojnë ankesat në Drejtorinë e Inspeksionit.