Në seancën të rregullt të mbajtur sot në Kuvendin e Komunës së Podujevës është miratuar rregullorja për mbrojtjen e mjedisit. E kjo pikë e rendit të ditës filloi t’i përplasë vetë zyrtarët e partisë në pushtet, asaj të LDK-së, raporton Llapi.info.
Këtë propozim –rregullore para asamblesë komunale e ka paraqitur drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Hamdi Jaha.
Jaha përpara këshilltarëve komunalë ka thënë se qëllimi i kësaj rregulloreje është që të ruhet ambienti i kësaj komune. Në këtë rregullore janë të përcaktuara edhe gjobat për ndotësit.
Në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avni Fetahu ka thënë se e përkrah këtë rregullore, por ankesa ka pasur sa i përket mirëmbajtjes së ambientit nëpër shkollat e kësaj komune, pasi që siç ka thënë ai, s’ka staf dhe mjete të mirëmbajtjes.
“Grupi i këshilltarëve të LDK-së e përkrah këtë propozim-rregullore për mbrojtjen e mjedisit në komunën e Podujevës. Ndërsa një sqarim në nenin 9 ku thotë se “për pastërtinë e oborreve të shkollave janë të obliguar të kujdesen vetë shkollat. Ato janë të obliguara të kujdesen për gjelbërimin dhe ruajtjen e tij në oborret e tyre”. Për këtë, shkollat s’kanë staf e as mjete që të kujdesen për oborret e shkollave. Ndërsa, për këto raste parashihet edhe gjobë, kështu që do ta kenë të vështirë shkollat me mirëmbajt oborret kur s’kanë mundësi për mirëmbajtje”, ka thënë Fetahu.
Ndryshe nga herët tjera, i “zhurmshmi”, Bajram Ajeti nga LVV është treguar i “butë” në këtë pikë të rendit, teksa ka thënë se VV e përkrah këtë rregullore, duke shtuar se e njëjta duhet të zbatohet.
“Duke marrë parasysh gjendjen në të cilën ndodhet Komuna e jonë, kam besim që nëse kjo rregullore do të jetë ajo që do t’i bëjë në veprim administratën komunale për mbrojtjen e ambientit, për të krijuar një ambient të shëndosh. Ne do ta përkrahim këtë rregullore, por kërkojmë që ajo të zbatohet. Gjoba ka pasur edhe më herët, por nuk janë zbatuar”, ka thënë ai.
Pikërisht në nenin 9 të kësaj rregulloreje, përplasje debati ka pasur mes këshilltarit të PDK-së, Rafet Llapashtica dhe drejtorit të Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori.
Llapashtica ka potencuar mirëmbajtjen e ambientit në shkolla s’është i obliguar ta bëjë personeli i një shkolle, por duhet të jetë një staf tjetër.
“E kemi diskutuar edhe në mbledhjen e komitetit dhe këtë rregullore e mbështesim në parim. Është mirë që para se të miratohet, drejtori për Arsim të jap opinionin e tij, se arsimtarët dhe profesorët nuk janë të obliguar të dalin ta pastrojnë oborrin e shkollës”, ka thënë ai.
“Edhe punëtorët teknikë e kanë të pamundur, për shkak se diku është një e diku dy veta. Shtrohet pyetja se te kush do të shkojë gjoba, te drejtori i shkollës, te mësimdhënësit apo punëtorët teknikë? Nëse kjo pjesë nuk sqarohet jemi skeptikë për ta mbështetë”, ka thënë Rafet Llapashtica.
Në lidhje me këtë pikë, drejtori i arsimit, Agim Blakçori, ka thënë se hapësirat brenda dhe jashtë shkollave mirëmbahen nga vetë shkollat.
“Shkollat janë përgjegjëse se si do të zgjidhjet çështja e ambientit. Tash për tash jemi të kënaqur se si po funksionon dhe e dimë që nuk kemi staf të mjaftueshëm, por duhet të shohim për të ardhmen që ndoshta edhe të angazhojmë staf shtesë. Sa i përket gjelbërimit, ne në disa shkolla veç kemi filluar t’i rregullojmë hapësirat jashtë shkollave dhe kemi projekte edhe për shkolla tjera”, është shprehur Blakçori.
Në një replikë, Llapashtica i është kundërpërgjigjur drejtorit Blakçori, duke shtuar se ligji s’e lejon të angazhojë punëtorë tjerë.
“Duhet të na tregoni se kush do të gjobitet nga 200-300 euro në shkolla? Me cilin ambient të shkollës je i kënaqur? E unë po të them se asnjë ambient i jashtëm i shkollave nuk e ke të kënaqshëm. Unë nuk mundem me dhanë votën pro, pa e dit se kush ka me u gjobit”, ka adresuar pyetjet këshilltari i PDK-së.
Në foltore ka dalë sërish Bajram Ajeti i VV-së, i cili tha se dihet se kush është përgjegjësi i shkollës, atij t’i vihet gjoba.
“Përgjigjet ai që është përgjegjës për shkollën. Përgjegjësia duhet të jetë në secilin institucion duke përfshirë edhe shkollën”, ka thënë Ajeti.
Por, sërish Rafet Llapashtica ka insistuar se përse nuk figurojnë emrat se kujt t’i vihet gjoba në këtë rregullore.
E në këtë seancë pati diçka edhe më tepër. Si rrallë herë akuza pati edhe mes vetë zyrtarëve të LDK-së. Pikërisht në këtë temë ka “thumbime” edhe mes zyrtarëve të LDK-së. Shefi i këshilltarëve të kësaj partie, Avni Fetahu tha se në të njëjtën rregullore parashihen gjoba edhe për Komunën në rast se nuk mirëmbahet hapësira e jashtme.
“Në nenin 10 thotë se institucionet administrative dhe publike janë të obliguara t’i mirëmbajnë oborret e tyre. Nuk është çudi që edhe komuna nga një gjobë nga inspektorati. Shkollat s’kanë kapacitet për mirëmbajtje. S’kanë as kosë e edhe lopëve ua kanë ndalua me hy në oborr…”, ka shtuar pos tjerash Fetahu.
E përmendja e kosës, drejtorit për Arsim i është dukur çështja banale.
“Sponsorizuesi i kësaj rregulloreje nuk është Drejtoria për Arsim, por ajo e Urbanizmit. Çështja e kosës është banale të ngritët se ajo punë kryhet lehtë. Askush s’ka nevojë të frikësohet prej gjobave, por secili ta kryejë punën e vet”, ka thënë Blakçori.
Nuk mungoi replika e Fetahut, i cili ka thënë se drejtorët do të kenë 1 milion arsye që ta kundërshtojnë një gjobë të tillë.
“Secilit drejtor që ia shqipton gjobën, ai mundet me t’i tregu 1 milion kërkesa që i ka bërë në komunë e që nuk ia keni miratua asnjëherë. Nëse është për ty banale një kosë, duhet të jetë keq dhe banale edhe për ty. Andaj, duhet të krijohen kushtet që të mos diskutohet papastërtia”, është shprehur ai.
Ndërkohë, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka shtuar se çdo drejtor shkolle është përgjegjës për ambientin e brendshëm dhe të jashtëm.
“Çdo drejtor i shkollës është përgjegjës për ambientin e brendshëm dhe të jashtëm të shkollës. Kjo rregullore do t’i bëjë përgjegjës personat përgjegjës”, ka thënë ai.
E, Rafet Llapashtica ka theksuar se në shumë shkolla nuk ka ujë të pijes dhe po ashtu mungojnë kushtet higjienike nëpër tualetet shkollore. Sipas tij, ka mungesë të inspektorëve në këtë komunë.
Me shumicë votash kjo pikë e rendit të ditës është miratuar në Kuvendin Komunal. Sipas asaj që është përmendur nga këshilltarët komunalë, 200 deri në 300 euro do të jenë gjobat për shkollat ku s’mirëmbahet ambienti, teksa gjobat janë përcaktuar edhe për persona të tjerë./Llapi.info





