Auditori i Përgjithshëm ka gjetur disa shkelje që ka bërë komuna e Podujevës gjatë vitit 2021, shkruan Llapi.info.
Sipas ZKA-së, Komuna e Podujevës nuk ka bërë vlerësim të drejtë të pasurisë në regjistër.
Në këtë gjetje, Auditori ka thënë se mosregjistrimi i plotë i pasurisë rrit rrezikun e humbjes dhe tjetërsimit e tij.
“Sipas rregullores 02/2013 për Menaxhimin e pasurisë financiare neni 6.4 – “Pasuria kapitale duhet të regjistrohet në SIMFK ndërsa pasuria jokapitale dhe stoqet duhet të regjistrohet në sistemin e-pasuria. Lidhur me këtë kemi identifikuar mangësisë në vijim:
-Pagesa lidhur me memorandumin e bashkëpunimit për ndërtimin e qendrës së mjekësisë familjare, në vlerë 25.000 euro, nuk ishte regjistruar tek regjistri i pasurisë mbi 1000 euro;
-Në regjistrin e e-pasurisë në gjashtë raste, komuna nuk kishte regjistruar pasurinë në vlerë prej 33.348 euro;
-Po ashtu komuna nuk kishte shpalosur PFV vlerën e përcaktuar nga komisioni i vlerësimit në departamentin e QKMF në vlerë 381,302 euro, derisa vlera e përgjithshme e regjistrit të e-pasurisë tek departamenti në fjalë në fund të vitit ishte 209,494 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Siç thuhet në këtë raport, mos regjistrimi i pasurisë në SIMFK dhe e-pasuri, sipas zyrtarëve, ka ndodhur si pasojë e mungesës së koordinimit në mes të departamenteve.
“Ndikimi: Regjistri jo i plotë i pasurive , rezulton në mangësi informatash për pasurinë dhe raportim jo i drejtë i tyre. Po ashtu, rrit rrezikun e humbjes dhe tjetërsimit të tyre”, thuhet tutje në raportin e Auditorit.
Në lidhe me këtë, Auditori i Përgjithshëm i ka bërë një rekomandim kryetarit të Komunës së Podujevës.
“Rekomandimi: Kryetari duhet të sigurojë të gjitha pasuritë e komunës janë identifikuar dhe regjistruar saktë në regjistrat përkatës të pasurive komunale”, përfundon raporti i ZKA-së në lidhje me këtë çështje.
ZKA-ja ka gjetur edhe disa shkelje tjera në raportin e saj për vitin 2021 në Komunën e Podujevës./Llapi.info