Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka njoftuar se Gjermania po shqyrton rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm që nga viti 2026, nëse nuk arrihet të tërhiqen mjaftueshëm ushtarë vullnetarë.

Në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, Pistorius tha se nëse forcat e armatosura nuk arrijnë numrin e nevojshëm të ushtarëve, do të jetë e domosdoshme rikthimi i këtij shërbimi, i cili u pezullua në vitin 2011. Gjermania, anëtare e NATO-s, ka nevojë për rreth 100,000 ushtarë shtesë për të përmbushur detyrimet ndaj aleancës.

“Modeli ynë bazohet kryesisht në pjesëmarrjen vullnetare, por nëse vjen koha, mund ta bëjmë afatin të detyrueshëm,” tha Pistorius, duke shtuar se një projektligj mund të paraqitet deri më 1 janar 2026.

Shërbimi ushtarak i detyrueshëm ishte pjesë e sistemit gjerman që nga viti 1956 deri në pezullimin e tij në 2011, me qëllim profesionalizimin e ushtrisë dhe uljen e shpenzimeve. Aktualisht, Bundeswehr ka rreth 261,000 anëtarë, përfshirë 180,215 ushtarë dhe 80,761 civilë.

Kjo lëvizje vjen në kontekstin e forcimit të kapaciteteve ushtarake të Gjermanisë pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 dhe kërkesave në rritje nga NATO për më shumë mbështetje ushtarake nga vendet anëtare.