Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Gjermani, ku tre persona janë gjetur të vdekur brenda një shtëpie familjare, ndërsa rrethanat e rastit po hetohen intensivisht nga autoritetet.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Hohenstadt, pjesë e komunës Pommelsbrunn pranë qytetit të Nürnbergut, ku policia ka zbuluar trupat e pajetë të tre personave brenda një banese. Viktimat janë një burrë, një grua dhe vajza e tyre e mitur.
Sipas informacioneve fillestare të policisë, dyshohet për një tragjedi familjare, ku babai dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe fëmijën e tij dhe më pas ka kryer vetëvrasje. Megjithatë, autoritetet theksojnë se hetimet janë ende në zhvillim dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rastit.
Rasti u zbulua pasi një dëshmitare njoftoi policinë, duke dyshuar për një krim të rëndë në banesë. Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, policia konfirmoi se bëhej fjalë për një vrasje të trefishtë, ndërsa zona u izolua për kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme.
Autoritetet kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka indikacione për përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje tragjike, ndërsa hetimet nga njësia e krimeve të rënda dhe prokuroria po vazhdojnë për të sqaruar motivet dhe rrethanat e plota.






