Lokale - eSIMy

Reshjet e shiut me intensitet të madh këtë pasdite kanë bërë që nëpër shumë fshatra të Podujevës të ketë vërshime, raporton Llapi.info.

Gjendje më të rënduar e ka fshati Bellopojë. Sipas banorëve, të cilët edhe kanë dërguar pamje në Llapi.info, uji ka depërtuar edhe brenda shtëpive në lagjen e “Llumnicve”, në pjesën ku shtrihet edhe lumi Batllava.

Siç thonë banorët, sasia e madhe e ujit ka “pushtuar” oborret dhe shtëpitë e kësaj pjese, ndërkohë që ata kanë thënë se kanë mungesë të rrymës për më shumë se pesë orë. Sipas tyre, gjendja në këtë fshat është e rënduar dhe se vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha.

Duhet theksuar se vërshime në këtë anë ka pasur shpeshherë, derisa banorët e kanë fajësuar Komunën e Podujevës për mosrregullimin e shtratit të lumit.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, më herët ka njoftuar se nga dita e hënë deri të enjten, kryesisht pasditeve pritet të ketë zhvillim të vranësirave dhe kushte për reshje shiu i përcjellë me erëra, në formë të stuhive lokale dhe shkarkime rrufesh./Llapi.info