Para disa ditësh, një familje nga Prizreni kërkoi ndihmën e Policisë së Kosovës, pasi vajza e tyre e mitur kishte dalë nga shtëpia dhe më nuk ishte kthyer, raporton Gazeta Sinjali.
Njësitë policore kanë nisur menjëherë kërkimet për të zbuluar vendndodhjen e 14-vjeçares, me ç’rast u kuptua se vajza ka qenë te një shoqe e saj. Pasi e njëjta është gjetur u kontrollua dhe gjendja e saj shëndetësore është stabile.
Bashkë me vëllain e saj, vajza e mitur është paraqitur në stacion policor ku është intervistuar nga hetuesit policorë në praninë e zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale. Bazuar në dëshminë e dhënë në Polici është zbuluar se vajza kishte pasur frikë të kthehet në shtëpi pasi ishte vonuar një ditë.
Kujtojmë se nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre, e shpesh zbulohet se abuzohen e keqtrajtohen.






