Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës mungon buxheti për të ngritur nivelin e sigurisë në trafik.
Aksidentet në trafik u bënë shkaktar i vdekjes së 99 personave vetëm gjatë këtij viti.
Kësisoj mbetet diskutabile nëse siguria e trafikut rrugor është në nivelin e duhur.
E për të diskutuar për këtë problem, u mbajt një konferencë në të cilën ishte paraparë të ishin prezent të gjithë kryetarët e komunave.
Por aty mori pjesë vetëm kryetari i Hanit të Elezit e Mamushës.
Përfaqësues të OSBE-së vlerësuan se institucionet e Kosovës nuk janë duke punuar mjaftueshëm për sigurinë në rrugë.
“Për fat të keq ende vazhdojnë mangësitë, korniza ligjore, buxheti për projektet e sigurisë që pengojnë progresin e mirëfilltë në terren. Kjo situatë duhet të ndryshoj, jemi në një udhëkryq”.
Por sipas institucioneve të Kosovës mungon buxheti për të ngritur nivelin e sigurisë në trafik.
“Duhet parashihet buxhet për ngritjen e sigurisë rrugore që MIT-ja ka mungesë të buxhetit. Faktorët kyç njeriu, automjeti dhe infrastruktura. Në Kosovë mosha më e rrezikuar është +18”, ka thënë Fejzullah Mustafa nga Ministria e Infrastrukturës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, deklaroi shifrën e aksidenteve që kanë ndodhur gjatë vitit 2019.
“Një angazhim i përgjithshëm është i nevojshëm për uljen e aksidenteve rrugore. 1 janar nëntor 2019 janë 14 mijë e 311 aksidente, 99 persona me fatalitet, 8640 me dëme materiale”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.
Nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi, ka njoftuar se në vitin 2019 ka pasur rritje të aksidenteve në trafik.