Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur ka mbajtur takimin e fundit për këtë vit, me ç’rast kanë prezantuar një përmbledhje të punëve të kryera gjatë vitit 2018.
Gjatë këtij viti u deklarua se janë regjistruar vetëm dy raste të reja të personave të pagjetur me kërkesë të familjarëve, ndërkaq janë bërë gërmime në 14 lokacione në Kosovë.
Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se nga këto lokacione vetëm dy prej tyre kanë rezultuar me mbetje mortore.
“Nga 14 lokacionet e proceduara, dy lokacione kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore të të paktën gjashtë personave, megjithatë, vetëm pasi të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore, përfshirë edhe identifikimin përmes analizës së ADN-së, mund të konfirmohet numri i personave të zhvarrosur”, ka thënë Gara.
Njëherësh, ai tregoi se këtë vit, u janë dërguar për rivarrim mbetjet mortore të 45 rasteve të personave të pagjetur, transmeton ksp.
Po ashtu, Gara tha se gjatë këtij viti është rritur buxheti për përkrahjen e familjeve të të pagjeturve nga 250 euro në 400.
Gara ka thënë se dhe një nga sfidat që kanë komisionet dhe grupet punuese të këtyre rasteve, janë mbetjet mortore të paidentifikuara dhe mungesa e informacionit të besueshëm.
Kurse Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, tha se çështja e personave të pagjetur është një ndër çështjet kryesore të dialogut Kosovë-Serbi. Ai tha se kjo çështje do po vazhdon të jetë çdoherë e më vështirë, sepse sipas tij, marrëveshjet rajonale nuk po zbatohen.
Ai premtoi përkrahje të vazhdueshme për familjarët dhe tregoi se për këtë çështje ka rritje të buxhetit për 12 për qind në vitin 2019.
Ai tha se nëse është e nevojshme, Qeveria do të japë jo 25 mijë euro, po edhe 25 milionë euro nëse garantohet zbardhja e këtyre rasteve, ndërkaq kritikoi mediat që sipas tij, gjatë raportimit, theksin e lajmit e kishin vënë te ndarja e buxhetit për këto raste.
Kurse, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjeta, tha se Komisioni është i hapur për bashkëpunim dhe sugjerime për zbardhjen e këtyre rasteve.