Rriten tensionet në Foria di Centola pas vrasjes së 26-vjeçarit shqiptar, shtëpia e autorit sërish në shënjestër
Tensionet po rriten në Foria di Centola, në rajonin e Cilentos në Itali, pas vrasjes së 26-vjeçarit shqiptar Rivaldo Rusi.
Mediat italiane raportojnë se, gjatë natës, persona të panjohur janë përpjekur të hyjnë në vilën e sipërmarrësit Aurelio Valiante – autori i dyshuar i krimit.
Shtëpia, tashmë vend i ngjarjes tragjike, është vënë sërish në shënjestër, pavarësisht se Valiante dhe familja e tij janë zhvendosur në një vend të mbrojtur jashtë rajonit për arsye sigurie.
Valiante është nën hetim për vrasje, fshehje të një kufome dhe sulm me armë zjarri, ndërsa në regjistrin e të dyshuarve është përfshirë edhe vëllai i tij 58-vjeçar, i cili dyshohet se ka ndihmuar në fshehjen e trupit të pajetë të Rusit në një vaskë vere.
Kufoma më pas u braktis në një zonë pyjore.
Nga përleshja në banesën e Valiante, mbeti i plagosur rëndë edhe 28-vjeçari Xhuijan Curti, bashkatdhetar dhe bashkëpunëtor i viktimës në tentativën për grabitje.
Ai ndodhet në gjendje kritike në spitalin “Cardarelli” në Napoli. Ndërkohë, një anëtar i tretë i grupit kriminal mbetet ende në arrati.
Situata është përkeqësuar më tej nga mesazhet kërcënuese në rrjetet sociale, të shpërndara nga familjarë dhe të njohur të viktimës, të cilët bëjnë thirrje për “drejtësi gjaku” dhe hakmarrje.
Kjo ka detyruar policinë të shtojë ndjeshëm patrullimet në zonë, për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të mundshëm.
Autopsia e trupit të Rivaldo Rusit pritet të kryhet nesër në mëngjes.