Arbër Zeneli para dy javësh shënoi “hat-trickun” e parë në futbollin profesionist, duke mos ditur se gjyshi i tij, me të cilin kishte pasur një lidhje të veçantë, kishte ndërruar jetë disa orë më herët.

23-vjeçari lajmin e hidhur e mori pas ndeshjes me fanellën e Kosovës në Ligën e Kombeve, që u zhvillua më 20 nëntor në Prishtinë.

Zeneli, kur shkoi në zhveshtore mori telefonin me idenë se do të lexonte urimet për rolin kyç në fitoren e Kosovës 4:0 ndaj Azerbajxhanit. Ai në këtë ndeshje shënoi tre gola, por në vend të urimit, në ekranin e telefonit të tij lexoi ngushëllimet për vdekjen e gjyshit.

Lotët e gëzimit u zëvendësuan menjëherë me ata të hidhërimit.

Me këtë fitore, Kosova zuri vendin e parë në grup dhe siguroi plejofin e Ligës D të Ligës së Kombeve.