osova i plotëson parakushtet që të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka thënë zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla. Sipas saj, deri në fund të këtij viti do të zgjedhin momentin e përtashëm që formalisht të dorëzojnë një aplikim të tillë. Ministrja e Jashtme gjithashtu ka thënë se Kosova është në rrugën e duhur drejt Këshillit të Evropës, për çka wshtw shprehur optimiste që pas vjeshtës të mund të bëjnë hapa të tjerë formalë në këtë drejtim.

Gërvalla ka thënë se me plotësimin e pjesës më të madhe të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, Kosova plotëson parakushtin themelor të aplikimit për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Ajo ka shtuar se çdo aplikim do të jetë i shoqëruar me shumë punë dhe negociata përmes së cilave Kosova i shtynë papara kërkesat e saj.

Gërvalla: Kosova i plotëson parakushtet për aplikim në Bashkimin Evropian

“Sa i përket aplikimit për Bashkimin Evropian është e qartë se të gjitha shtetet e rajonit duke përfshirë edhe Bosnje Hercegovinën e cila ndodhet në një gjendje shumë ndryshe nga Republika e Kosovës, të gjithë kanë aplikuar ose e kanë marrë statusin e kandidatit për në BE, ne mendojmë që Kosova i plotëson të gjitha parakushtet për një kandidaturë të tillë, për një aplikim të tillë, prandaj ne deri në fund të vitit do të zgjedhim momentin e përshtatshëm kur do ta dorëzojmë edhe formalisht këtë aplikim. Çështja është kjo, kur është momenti për aplikime të tilla dhe kur nuk është momenti, ne mendojmë që procesi nuk mund të ecë përpara ashtu si edhe të rasti i Këshillit të Evropës, nëse ne nuk e bëjmë hapin e parë. Pra, pa aplikuar ne, askush nuk do të na ftojë të aplikojmë”, ka thënë Gërvalla.

Ndërsa lidhur me aplikimin që Kosova e ka dorëzuar në Këshillin e Evropës, Gërvalla ka thënë se nuk mund të jap shumë detaje meqë sipas saj ka akterë të interesuar të pengojnë Kosovën në këtë rrugëtim.

Megjithatë, ajo ka thënë se Kosova gëzon mbështetje politike nga një numër i madh i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, edhe nga ato që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit.

Gërvalla: Kosova ka përkrahje politike nga një numër i madh i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës

“Nuk kam mundësi të flas shumë për detaje sepse duhet ta dimë që ka akterë të ndryshëm të cilët janë shumë të interesuar që ta pengojnë Kosovën në rrugën e saj drejt Këshillit të Evropës po ashtu si edhe në rrugën e saj drejt integrimeve ndërkombëtare në përgjithësi, prandaj do të doja të ju jepja vetëm përshtypjen time personale që procesin e kemi të shëndetshëm, procesi gëzon një përkrahje politike nga një numër tejet i madh i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, qofshin ato njohëse qofshin ato jo njohëse. Ne e kemi treguar gatishmërinë tonë për të dhënë përgjigje për të gjitha pyetjet që mund të lindin gjatë këtij procesi. Përvoja deri tani është shumë e mirë, po shpresojmë që pas vjeshtës do të mund të bëjmë hapin tjetër të ardhshëm formalisht, por një gjë duhet të jetë e qartë, që jemi të përgatitur për këtë proces, kemi përkrahje politike shumë të gjerë dhe mendojmë që ky proces do të finalizohet me sukses”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka folur në një konferencë për media ku ndër të tjera ka thënë se po punojnë në procesin e njohjeve të reja dhe fuqizimit të marrëdhënieve me shtetet njohëse.