Përfaqësuesi i gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka thënë se politika e ka lënë në baltë sektorin e gastronomisë dhe konsideron se gjendja ekonomike do të rendohet nëse nuk merren masa të menjëhershme.
“Politika lë popullin në baltë. Ndërkohë që sytë janë drejtuar tek mesazhet nga Uashingtoni, indiferenca e politikës para kolapsit të sektorit privat, që prej muajsh ka trokitur në pragun tonë, është shqetësuese. Gjendja në Kosovë, ku 59% e personave në moshë pune nuk janë aktivë ekonomikisht, shpejt do të rëndohet në mënyrë drastike nëse drejtuesit e shtetit nuk marrin masa të menjëhershme”, ka shkruar Kllokoqi në Facebook.
Kllokoqi tutje shtoi se numri i të punësuarave në këtë sektor është përgjysmuar brenda vitit dhe se nëse vazhdon kjo situatë do përballen me falimentim.
“Në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, nga marsi 2019 deri në mars 2020, numri i të punësuarve ra nga 80 mijë në 43 mijë! Përgjysmim brenda një viti! Sektori i dytë në vend që punëson më së shumti kosovarë – gastronomia, po përballet me falimentimin, me pasoja të pakthyeshme. Kërkesat tona në vazhdimësi po hasin në vesh të shurdhër: asnjë përgjigje, asnjë reagim”, ka shtuar tutje Kllokoqi.
Më tej Kllokoqi ka theksuar se këtë javë do të mblidhen peticione në gjithë Kosovën me kërkesat për shfuqizim të kufizimit të lëvizjes së lirë për qytetarë dhe biznese, krijim i një manuali të saktë brenda lokaleve për sezonin vjeshtë-dimër, si dhe krijimi i një pakoje të veçantë për përkrahje.
Sipas Kllokoqit, hapi i radhës do të jetë protesta demokratike.






