Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi është i bindur se do të dalin fitues në Podujevë. Ai thotë se ky rezultat mund të arrihet qysh në raundin e parë të zgjedhjeve.

Komentet Gashi i bëri në emisionin “Pressing” në T7.

“Në Podujevë ne presim fitore, gjasat janë që Podujevën e marrim edhe pa balotazh. Pra, e kemi një rezultat të jashtëzakonshëm, ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm në Podujevë”, tha Gashi.

“Sot qytetarët e Kosovës shohin krejt ndryshe”, shtoi ai.

“Unë edhe një herë po e përsërisë që jemi shumë optimistë që në Podujevë ne mund të fitojmë edhe pa balotazh”, theksoi Gashi.

Më tej, Gashi ka thënë se ish-kryetari i LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, këto ditë, sipas tij, do t’i dalë në ndihmë kandidatit Ekrem Hyseni.

“Agim Veliu është një figurë e rëndësishme për LDK-në. E ka në ADN-n e vetë politike LDK-në. Besoj se Veliu këto ditë do të jetë aktiv dhe do ta ndihmojë Ekrem Hysenin për kryetar të Podujevës. Mjaftojnë katër ditë”, ka shtuar Gashi.