Niveli në të cilin paraqiten futbollistët e përfaqësueses së Kosovës po shkon duke u ngritur vazhdimisht.
Por Kosova ende nuk ka lojtarë që luajnë rregullisht në garën elitare, Ligën e Kampionëve.
Faza grupore e Championsit përfundoi të mërkurën, ndërsa janë caktuar 16 skuadrat që do të luajnë në fazën nokaut, shkruan sot Koha Ditore. Shorti për një të tetën e finales do të tërhiqet të hënën, kurse ndeshjet luhen në muajin shkurt.
Arijanet Muriq është i vetmi lojtar i Kosovës që ka interes direkt nga shorti i së hënës. Skuadra e tij, Manchester City, është prej 16 më të mirave të edicionit në Champions, ndërsa synon të shkojë shumë më larg.
Por Muriq është vetëm portieri i dytë i kampionit të Anglisë, ndërsa gjasat që të gradohet në portier të parë së shpejti thuajse nuk ekzistojnë. Edhe mundësia që ai të fitojë rastin në ndonjë ndeshje nuk është e madhe, pos nëse lëndohet portieri i parë i Cityt, Ederson. Muriq 20-vjeçar ka qëndruar në stol në gjashtë ndeshjet e Cityt në fazën grupore dhe në stol pritet të vazhdojë të jetë.






