Vetëm 3 premtime janë realizuar plotësisht nga kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, nga 32 që kishte bërë në fushatën e fundit zgjedhore, njofton Llapi.info
Kjo statistikë është publikuar nga Instituti GAP.

Sipas këtij instituti, Veliu ka përmbushur 3 premtime, 2 premtime gjysmë të përfunduar, 10 të filluara e 17 sipas GAP, ende nuk kanë filluar të realizohen.
Në këtë institut figurojnë 32 premtime e kryetarit Veliu, ku më së shumti ka pasur në infrastrukturë gjithsejtë 20 premtime, 2 premtime në shëndetësi, 3 në arsim e për shërbime publike ai kishte bërë 7 premtime.
Në arsim gjithmonë sipas GAP, premtimi për ndërtimin e shkollës “Dituria” në fshatin Llapashticë, ka filluar me buxhetin e vitit 2017, por ende nuk është përfunduar. Ndërsa, ndërtimi i shkollës fillore në fshatrat Balloc dhe Metehi nuk ka filluar e po ashtu as premtimi për ndërtimin e një aneksi të shkollës fillore në Obrançë.
Ndërkaq, në kuadër të premtimeve në infrastrukturë, i pari i Podujevës ka realizuar tri premtime. Si ndërtimi i i kanalizimit Lupc i Epërm-Popovë ka përfunduar. Pyllëzimi i parkut të paqes me 3.5 hektarë me fidane e pisha, është realizuar në bashkëpunim me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës. Sipas GAP, ndërtimi i rrjetit të kanalizimit dhe po ashtu ndërtimi i impiantit biologjik për trajtimin e ujërave të zeza në këtë fshat ka filluar në vitin 2017 dhe është investim i Qeverisë Zvicerane.
Veliu në kuadër të Infrastrukturës vitin e kaluar ka filluar ndërtimi i rrugës “Te Xhamia” në Podujevë ku parashihet që të ketë edhe infrastrukturën përcjellëse ndriçim publik, kanalizim fekal, kanalizim atmosferik, rrjet të ujësjellësit, sinjalizim horizontal e vertikal, urën mbi lumin Llap, që përfshin unazën e brendshme të qytetit. Punimet janë duke vazhduar. (Në këtë link mund të shikoni projektet të cilët nuk kanë filluar).
Në shëndetësi i pari i Podujevës, Agim Veliu, ka bërë dy premtime. Funksionzalimi i Spitalit të Qytetit i cili ka qenë në plan të funksionalizohet në vitin 2017, nuk është funksionalizuar akoma në tërësi. Në maj të këtij viti vetëm reparti i Maternitetit është zhvendosur nga QKMF-ja në objektin e spitalit.
Ndërsa, në shërbime publike, nga shtatë premtimet e Veliut në fushatën zgjedhore, vetëm dy prej tyre kanë filluar. Të filluara janë ai për renovimin dhe modernizimi i hapësirave të stadiumit të qytetit “Zahir Pajaziti” (Ky projekt ka filluar gjatë vitit 2017 dhe është projekt i përbashkët i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Komunës së Podujevës. Pas ndërtimit të fushës nga MKRS-ja, ka filluar ndërtimi i ulëseve, por projekti ende nuk ka përfunduar në tërësi).
Kurse, rregullimi i rrugëve dhe vendosja e sistemit të ndriçimit publik në lagjen e “Dëshmoreve”, ky projekt nuk ka filluar. Por, komuna ka nisur procedurat e prokurimit për ndërtimin e infrastrukturës përcjellëse për shtëpitë e rasteve sociale në ‘Lagjen e Dëshmorëve’ kyçja në rrjetin furnizues elektroenergjetik./Llapi.info






