Lokale - eSIMy

Vjosa Osmani u përpoq të ‘godiste’ Albin Kurtin për rrëmujën e madhe të shkeljeve kushtetuese, por harroi që edhe vet është bashkëfajtore në këtë krim

Ka mbetur më pak se një muaj që Vjosa Osmani do të jetë e ulur në karrigën e presidentes.

Në pothuajse rrumbullak pesë vjet si shefe e shtetit, ajo do të mbahet mend për disa të bëma – por më së shumti për dështimin që të kryejë rolin e saj kushtetues. Që të sfidojë qeverinë, edhe kur ajo shkilte në terrene të paligjshme. Kur shkilte hiç më pak sesa Kushtetutën.

E vendosur përballë qeverive Kurti 1 dhe 2 që pa reshtur e shkelnin aktin më të lartë juridik dhe politik të vendit, presidentja i shihte nga larg, ftohtësisht sikur nuk po ndodhte asgjë.

Dhe këtë, ajo veç e pohoi paturpërsisht në intervistën e saj të parë televizive pas krisjes përfundimtare me Vetëvendosjen dhe kryeministrin Kurti, dhënë për televizionin nga Tirana, Syri Tv.

Në momentin e parë kur u përpoq të godiste Kurtin, ajo e goditi keq veten.

Shefja e shtetit përdori një argument kontradiktor, atë të rrëmujës së madhe të shkeljeve të Kushtetutës gjatë qeverisjes së Kurtit – në të cilat ka gisht edhe vet.

Por, ajo mbase harroi se është “bashkëpjesëmarrëse në krim” për të gjitha këto shkelje kushtetuese.

Kur u pyet sesi “ka mundësi që partneri juaj [Albin Kurti, v.j] ju dërgoi në Kushtetuese?”, Osmani ia ktheu duke pretenduar se shkeljet kushtetuese janë parë si veprime “brenda normales” gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

“Vet fakti që ligjet e kësaj qeverie, të këtij kuvendi janë dërguar në gjykatë më herët – janë shpallur si kundërkushtetuese, është parë si gjë normale”, tha Osmani.

Osmani përmendi “mbi 20 raste të ndryshme” ku Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje nga qeveria dhe kuvendi.

“Ju e dini që ka diku mbi 20 raste të ndryshme ku Gjykata ka konstatuar se qeveria e ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, se Kuvendi e ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha presidentja në largim.

Shefja e shtetit harroi se i mungon kredibilitet i theksuar të adresojë çështjen e shkeljeve kushtetuese, kur në pesë vjet presidente ajo nuk arriti të “hetonte” asnjë nga 20 shkeljet e përmendura të Kushtetutës. Nuk ia ktheu pothuajse asnjë Ligj për rishqyrtim Kuvendit.

Një nga herët e vetme kur ia ktheu legjislativit një ligj për rishqyrtim, ishte atëherë kur ndodhej në njëfarë konflikti të interesit. Kur i prekeshin drejtpërdrejtë kompetencat e saj si presidente.

Dhe, këtu është fjala për Ligjin e Këshillit për Siguri Kombëtare ku ajo shqetësohej se Ligji nuk i kishte përmbushur të gjitha zbraztësirat – përfshirë për një nen të Kushtetutës që ia delegon presidentes drejtimin e Këshillit të Sigurisë gjatë “gjendjes së jashtëzakonshme”.

Asnjëherë tjetër, në “mbi 20 rastet” të cilat i përmendi vet, Osmani nuk i ktheu ligje për rishqyrtim mazhorancës së Lëvizjes Vetëvendosje, pavarësisht se shumë prej tyre viheshin në dyshim në opozita, shoqëria civile e gazetarët.

Ajo dyshohet se edhe vet është përfshirë në shkelje kushtetuese, siç janë rastet e shkarkimit të Valdete Dakës nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedheve, mosdekretimit të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit dhe propozimi i Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e Qeverisë pa mbledhjen e nënshkrimeve formale.