Ngjarja për incidentin, në të cilin është përfshirë futbollisti shqiptar Muzafer Ejupi, është një prej kryetemave në mediat kroate.

Sulmuesi i Slaven Belupos ishte përfshirë në një incident të dhunshëm, ndërsa pas spekulimeve të ndryshme, u bë e ditur se ai ka qenë viktimë e sulmit dhe se ka marrë lëndime serioze.

Podravski.hr ka bërë të ditur se Ejupi dhe një i afërm i tij janë sulmuar me shufër metalike dhe kanë marrë lëndime serioze.

Personi që ka qenë me futbollistin e ka goditur personin tjetër, mirëpo lojtari 31 vjeçar ka marrë lëndime të shumta në kokë saqë nuk njihej.

Për më shumë, sipas burimeve të Podravski.hr, goditja me shufër ka mundur të jetë fatale edhe për jetën e e Ejupit.

Fillimisht, lojtari që e ka përfaqësuar Maqedoninë e Veriut ishte arrestuar nga policia, mirëpo pasi janë qartësuar gjërat, është liruar.