Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, ka kërkuar nga ana e Prokurorisë që të nisë hetime ndaj ministrit, Armend Zemaj, rreth siç thotë ai: mungesës së oksigjenit nëpër spitale të vendit.

Në një shkrim në Facebook, Haziri thotë se Zemaj ka detyruar spitalet regjionale të furnizohen në mënyra ilegale me O2 industrial për arsye se nuk i ka furnizuar me O2 medicinal.

“Sa i përket furnizimit me O2 industrial, Krimi ka një Emër, ai është Armend Zemaj”, ka thënë ndër të tjera Haziri.

Shkrimi i plotë:

Është e çuditshme se si Ministria e Shëndetësisë, konkretisht z.Zemaj sa herë që deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e ngrisin një çështje rreth rrezikut të shëndetit të qytetarëve nga keqmenaxhimi po i këtij “ministri”, ai mundohet t’ua lë fajin qytetarëve se po furnizohen me Oksigjen (O2) në rrugë ilegale – ose e akuzon Lëvizjen Vetëvendosje për shpifje.

E, po ky ministër është ai i cili ka detyruar që spitalet regjionale të furnizohen në mënyra ilegale me O2 industrial për arsye se nuk i ka furnizuar me O2 medicinal.

Sa i përket furnizimit me O2 industrial, Krimi ka një Emër, ai është Armend Zemaj.

Prokuroria duhet të nisë hetimet ndaj këtij ministri i cili është arrogant dhe i papërgatitur.