Shumë fshatra në Komunën e Podujevës po përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike. Ekipi i T7 ka vizituar fshatin Peran të Podujevës, ku banorët janë ankuar se rrymë kanë vetëm disa orë gjatë ditës.

Ilaz Fejzullahu, nga fshati Peran i Komunës së Podujevës, thotë se ai dhe bashkëfshatarët e tij, po përballen me mungesë të madhe të energjisë elektrike.

Ai pohon se ajo që po e pengon më shumë sesa vet reduktimet, janë pohimet e institucioneve përkatëse për energji elektrike, se nuk do të ketë reduktime.

E si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, Fejzullahut i duhet të gjejë një tjetër alternativë.

Por kjo alternativë, Fejzullahun, në fillim të dhjetorit, po e detyron të bëjë zgjidhje; në mes të dritave apo ngrohjes së shtëpisë.

E këtë problem, e kanë edhe banorët e tjerë të fshatit Peran.

Ata ankohen se ka ditë, kur rrymë kanë vetëm dy orë gjatë tërë ditës.

Mungesa e energjisë elektrike, po ua vështirëson punën edhe bizneseve në këtë fshat.

Ndërkohë, KEDS përmes një përgjigje me shkrim, thotë se në këtë anë, janë duke u kryer disa punime.

Sipas Keds, këto investime po bëhen që të ketë shërbime shume më kualitative dhe më të sigurta.