Një person nga fshati Dumnicë të Komunës së Podujevës është infektuar me koronavirus. 62-vjeçari kishte ardhur nga Italia me datën 5 të këtij muaji nëpërmjet Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, njofton Llapi.info.

Pas konfirmimit se një person nga ky fshat është infektuar me COVID – 19, Qeveria ka vendosur që fshati Dumnicë me rrethinë të futet në karantinë. Kështu ka thënë për Llapi.info nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari. Rudari ka thënë se janë dezinfektuar shtëpitë në lagjen prej nga vjen pacienti me këtë virus.

“Mbrëmë jemi takuar menjëherë pas marrjes së informatës se një person nga Podujeva është identifikuar me koronavirus. Kam ftuar shtabin ku kemi mbajtur një takim, në të cilën kemi diskutuar për masat dhe veprimet që duhet të ndërmerren. Pasi kemi mësuar se për kë bëhet fjalë, kemi dërguar një ekip të Policisë bashkë me kompaninë e kontraktuar për dezinfektim, e cila ka bërë dezinfektimin e hapësirës ku jetojnë familjarët, shtëpitë dhe lagjen. Ekipet mjekësore menjëherë kanë nisur kontrollet e familjarëve dhe janë udhëzuar që nëse kanë simptoma të bëjnë analizat. Fillimisht ne mbrëmë kemi izoluar familjen dhe kemi futur në karantinë, pastaj Qeveria ka vendosur që i gjithë fshati Dumnicë (Dumnica e Poshtme, Dumnica e Epërme dhe Llausha) të futen në karantinë. Njëherë nuk kemi ndonjë rast tjetër, nëse ka i mbetet Qeverisë të vendos që e gjithë komuna e Podujevës të futet në karantinë”, ka deklaruar Rudari për Llapi.info.

Më tej, nënkryetar i Komunës së Podujevës ka bërë ditur masat tjera që janë duke u ndërmarrë në Podujevë.

“Si kryetar i shtabit kam thirrë sot në mëngjes mbledhjen ku kemi vlerësuar situatën dhe masat që  duhet të ndërmerren sot dhe  në ditët në vijim. Prej masave që janë marrë është dezinfektimi i hapësirave publike, gjegjësisht hyrjet e banesave, sot do të bëhet dezinfektimi i Lagjes së Dëshmorëve, stacionit të Policisë, objektit të Komunës, QKMF-së, Emergjenca, pra në vendet ku ka qarkullim më të madh të njerëzve. Prej vendimeve që kemi marrë është shkurtimi i orarit të punës së administratës komunale. Po ashtu, kemi një urdhëresë së i obligon dyqanet tregtare që shesin produkte ushqimore, marketet e vogla dhe ato të mëdha që ta shkurtojnë orarin e punës”, ka thënë ai.

Ndërkohë, numri i të prekurve nga koronavirusi në Kosovë ka arritur në 13. Zonat e prekura janë Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina./Llapi.info