Bot rreth orës 10:30, në rrugën “Butofci”, pranë deponisë së mbeturinave, një qytetar ka vërejtur një qese të zezë brenda së cilës dyshohej se ndodhej një foshnje e vdekur.
Lidhur me rastin janë deklaruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilët kanë konfirmuar se kanë nisur hetimet.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori kujdestar është njoftuar lidhur me rastin aktual, është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore për çështjen në fjalë”, thuhet në përgjigjen për Sinjalin.
Sinjali raportoi se në momentin që qytetari është afruar, ka zbuluar se në të vërtetë brenda qeses ndodhej një foshnje e porsalindur, pa shenja jete, e braktisur në mënyrë të tmerrshme.
Menjëherë është kërkuar ndihma mjekësore dhe njësia emergjente është thirrur për të dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që autoritetet përkatëse janë parë në vendin e ngjarjes, duke nisur veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e rastit.
Shkaku se pse është sjellë foshnja në atë lokacion dhe identiteti i personit që e ka braktisur mbeten ende të paqarta.