Një ngjarje tronditëse është vërejtur nga një qytetar paraditen e sotme në lagjen Matiqan të Prishtinës, ku një foshnje e porsalindur është gjetur e braktisur në rrethana çnjerëzore.
Për rastin ka njoftuar edhe Policia, e cila ka zbardhur detajet e fundit për ngjarjen.
“Sot rreth orës 11:00, policia ka pranuar informatën lidhur me dyshimet për një foshnje të braktisur në afërsi të deponisë së mbeturinave në rrugën “Qëndresa” në Prishtinë”, tha Agron Borovci, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës për Gazetën Sinjali.
“Të gjitha njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar se foshnja e porsalindur është pa shenja jete”.
Borovci ka njoftuar se “trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore”.
“Policia në koordinim me prokurorin e shtetit, me seriozitet është duke u trajtuar rastin dhe ka iniciuar një hetim mbi vdekjen”.
“Ftojmë këdo që ka informacion lidhur me ngjarjen të kontaktojë direkt Policinë”, apeloi ai.