Lokale - eSIMy

Ministri i Financave Bedri Hamza, i shoqëruar edhe nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti, kanë zhvilluar takim bilateral me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang.

Me të diskutuan për të arriturat e deritanishme në fushën e financave, si dhe për sfidat që i ka Kosova në rrugën e saj përpara në këtë fushë.

Hamza e njoftoi Zhang, për zhvillimet pozitive në Kosovë, me hapat që janë ndërmarrë për të ruajtur stabilitetin makro fiskal, performancën e mirë të të hyrave të përgjithshme për Buxhetin e shtetit, për menaxhimin e mirë të borxhit publik në raport me BPV-në, si dhe gjendjen e mirë të deficitit dhe bilancit bankar.

Zhang gjithashtu u njoftua edhe me reformat të cilat janë ndërmarr gjatë këtij mandati në Ministrinë e Financave me theks të veçantë në politika fiskale, duke filluar nga lirimet e ndryshme tatimore deri tek hartimi i plotë i legjislacionit tatimor për ta nxitur sektorin privat për të qenë bartës i zhvillimit ekonomik në Kosovë e që është edhe objektiv strategjik i Ministrisë së Financave.

Në këtë takim gjithashtu u diskutua edhe për përgatitjen e buxhetit 2019 të Republikës së Kosovës, ku me këtë rast Ministri Hamza e siguroi Zhang se “ky Buxhet do të jetë një buxhet i qëndrueshëm, një buxhet i cili adreson kërkesat dhe nevojat e shtetit dhe qytetarëve të saj dhe çka është më e rëndësishme do të jetë buxhet i zhvillimit ekonomik”.