Në grabitjen në Rinas raportohet se ishin të përfshirë edhe dy persona nga Kosova. Një prej tyre e thërrisnin “Daja” ndërsa tjetrin “Tani”.
13:59, 24 Prill 2019

REPORT TV ka zbardhur dëshminë e plotë të Alkond Bengasit, të penduarit që pranoi që të bashkëpunonte me drejtësinë duke treguar emrat e grabitësve të miliona eurove në aeroportin e Rinasit në datë 9 prill. Bengasi është shprehur se kontaktin e parë dhe porosinë për modifikimin e makinës e ka pasur me dy kushërinjtë e tij, Klement dhe Eldi Çala.

Ai ka treguar edhe takimin me kreun e grupit Admir Muratajt dhe kërkesën e tyre për të bërë modifikimin e furgonit më të cilin grabitën thasët me euro në Rinas.

“Fillimisht nuk pranova dhe nuk doja te largohesha nga Elbasani. Por duke qenë se unë punoja në një servis ata më kërkuan t’i shoqëroja në Kavajë ku do te merrnim një furgon. Pranova dhe shkuam te tek Shkëmbi i Kavajës. Aty na prisnin 3 persona për drekë. Një u prezantua si Admir Murataj, ndërsa dy të tjerët ishin nga Kosova. Një prej tyre e thërrisnin “Daja” ndërsa tjetrin “Tani” tha ai para grupit hetimor.

Ai vijon më tej në dëshminë e tij duke deklaruar se pasi hëngrën dreke morëm furgonat, të cilët më pas i modifikoi. “Më vonë mësova se mjetet do të përdoreshin për grabitje” shtoi ai. Bengasi rrëfeu për hetuesit emrat e të përfshirëve dhe mënyrën se si furgoni u modifikua në Elbasan 2 muaj para goditjes në pistën e aeroportit të Rinasit. Me këtë rrëfim të marrë nga Bengasi ditën e premte kur ai është ndaluar në qytetin e Elbasanit, hetuesit shkuan më pas tek të arrestuarit e tjerë Oltjon Veseli, Renaldo Sula dhe Saimri Çela.

Deri tani për grabitjen në Rinas janë arrestuar pesë persona; Oltion Veseli dhe Elton Pikli, të dy nga Kruja dyshohet se janë autorë, ndërsa Alkond Bengasi (i penduar i drejtësisë), Saimir Çela dhe Renaldo Sula akuzohen si bashkëpunëtorë. Në kërkim janë; Talo Çela, Klement Çala, Eldi Çala, Marenglen Hoxha, ish-punonjës policie, Aleks Pepa dhe dy të tjerë, që sipas dashmisë së Alkond Bengasit janë dy shqiptarët nga Kosova. Ndërkohë që koka e grupit, Admir Murataj nga Tropoja, i arratisur në 2013 nga burgu grek u vra gjatë shkëmbimit me policinë.