Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë fshatin Lubizhdë të Prizrenit, duke marrë përmasa shqetësuese dhe duke u afruar shumë pranë disa shtëpive banimi.
Flakët kanë përfshirë një shtallë të kafshëve dhe kanë shkatërruar gjithçka në rrugën e tyre.
Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, zjarrfikësit janë përballur me vështirësi të mëdha për shkak të terrenit dhe erërave që kanë favorizuar përhapjen e flakëve.
Fejzulla Berisha nga Brigada e Zjarrfikësve të Prizrenit ka konfirmuar se zjarri ka përfshirë një shtallë dhe është përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar edhe banesat përreth, raporton rtvbesa.
“Po bëjmë çmos për ta vënë zjarrin nën kontroll. Fatmirësisht deri tani nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme,” tha Berisha.
Ekipet e zjarrfikësve janë ende në terren, ndërkohë që autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të zonës të jenë të kujdesshëm dhe të bashkëpunojnë me shërbimet emergjente.