Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës që pas vdekjes së zëvendësministrit Arian Daci, familjes Daci t’i ndahen 15 mijë euro, ka nxitur reagimin e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Deputetja Pacolli, në një postim Facebook, ka shkruar se shteti nuk ndau asgjë për punëtorët që humbën jetën në vendin e tyre të punës.
Ajo ka përmendur edhe familjet që kërkonin para për shërimin e fëmijëve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme.
“Shumë punëtorë për të siguruar bukën për familjet e tyre kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës ku punonin pa asnjë masë sigurie. Shumë prej tyre kanë lënë prapa fëmijë pa përkujdesje e në kushte të rënda sociale.
“Shteti nuk ndau asgjë për ta. Shumë familje detyrohen të kërkojnë nga të afërmit e qytetarët që sado që munden t’i ndihmojnë për të paguar shërimin e fëmijëve të tyre. Shumë kërkesa bëhen në sheshe të qyteteve, radio, rrjete sociale e televizione. Shteti nuk është askund. Shteti nuk i ndihmon këto familje”, ka shkruar Pacolli në Facebook.






