Ka filluar raundi i dytë i takimit trepalësh ndërmjet përfaqësuesve të BE-së me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, shkruan Reporteri.net.

Paraprakisht të dy liderët kanë zhvilluar takime të ndara dypalëshe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Kjo është hera e parë që kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë takohen sërish në të njëjtën ditë në kuadër të dialogut.

Ata janë takuar dy herë deri më tani, në qershor dhe korrik 2021. Të dyja takimet ishin të shkurtra dhe pa rezultate.

Për në ora 14:15 është paralajmëruar adresim për shtyp i Borrell, por konferenca ende nuk ka filluar.

Në mediat serbe aktualisht është duke u raportuar se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thirrur mbledhje me serbët e Kosovës në pallatin “Serbia” në Beograd.

Në takim shkruhet se janë ftuar të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës, zyrtarë të Listës Serbe, të gjithë kryetarët serbë të komunave të Kosovës, kryetarët e rretheve, si dhe drejtorët e spitaleve, shkruan Nova.

Para takimit, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Joseph Borrell, kërkoi konstruktivitet nga të dy palët.

Borrell ka thënë se është koha të ecet përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Kam thirrur për këtë mëngjes takimin e Dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë. Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël për të gjetur gjuhën e përbashkët”, shkroi Borrell.

Ndërkohë, siç raportoi Radio Evropa e Lirë, në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu tashmë ka arritur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja ka thënë se e mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Nga DASH gjatë ditës së djeshme i thanë Gazetës Online Reporteri.net se Përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, udhëtoi në Bruksel “për ta mbështetur takimin e nivelit të lartë të 18 gushtit të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE”. /Reporteri.net